Sllovenja Marta Kos do të jetë përgjegjëse për zgjerimin e BE-së. Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke prezantuar ekipin e saj të komisionerëve.

Kos do të punojë për të mbështetur Ukrainën, për të vazhduar rindërtimin e vendit dhe për të përkrahur vendet kandidate për t’u përgatitur për pranimin në BE, transmeton Klankosova.tv.

Sllovenia konfirmoi javën e kaluar se Kos do të jetë kandidate e këtij vendi për Komisionere Evropiane, raporton European Western Balkans.

Paraprakisht, Tomaž Vasel e tërhoqi kandidaturën për atë pozitë dhe siç raportojnë mediat sllovene, kjo është bërë për shkak të dëshirës së Ursula von der Leyenit që në përbërjen e re të Komisionit Evropian të ketë sa më shumë gra.

Siç raporton Politico, Sllovenia për këtë është “shpërblyer” me portofolin e zgjerimit, përcjellë Danas.

Marta Kos, e cila duhet të zëvendësojë hungarezin Oliver Varhelyi në pozitën e Komisionit Evropian, është ish-ambasadore Sllovenisë në Gjermani dhe Zvicër.

Ajo ka qenë nënkryetare e Lëvizjes për Liri, ndërsa dy vite më parë kandidoi për presidente të Sllovenisë, por gjatë fushatës hoqi dorë nga kandidatura.

Menjëherë më pas ajo dha dorëheqje nga posti i nënkryetares së Lëvizjes për Liri dhe pas dorëheqjes së Tatjana Bobnar si ministre e Brendshme, Kos dha dorëheqjen nga Lëvizja për Liri, duke deklaruar se nuk është më parti e saj, transmeton Klankosova.tv.

Marta Kos është një diplomate me përvojë, udhëheqëse biznesi, konsulente dhe eksperte komunikimi me përvojë personale në sportet elitare të notit, shkruan në faqen e internetit Kreab.

Aktualisht është kryetare e shoqatës së grave ONA VE dhe është aktive në konsulencën e menaxhmentit.

Para kësaj ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani, Letoni, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

Deri në vitin 2003, ajo ishte nënkryetare për marrëdhënie ndërkombëtare në Odën e Tregtisë dhe Industrisë së Sllovenisë.

Pas përfundimit të studimeve për gazetari, ajo filloi karrierën e saj si gazetare në Radio Televizionin Kombëtar Slloven dhe për disa vite ishte korrespondente në Gjermani për Deutsche Welle RTV në Bon.

Nga atje, Marta kaloi në Qeverinë e Republikës së Sllovenisë si Drejtoreshë e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Media dhe ishte zëdhënëse e Qeverisë.

I pëlqen leximi, alpinizmi dhe sipas Linkedin ajo është marrë edhe me not.

Marta Kos ka lindur më 28 qershor 1965.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume