57 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar në vend javën e kaluar, në periudhën 9-15 shtator, që është një rënie prej 48,6 përqind krahasuar me javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Gjatë kësaj periudhe në laboratorët ku bëhet testimi molekular dhe antigjenik për praninë e virusit janë marrë 285 materiale, që është 36.5 përqind më pak krahasuar me javën e kaluar.

Shumica e të sapoinfektuarve, ose gjithsej 39, janë në Shkup, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Dellçevë, thuhet në raportin e fundit të Institutit për Shëndet Publik (ISHP).

Pacientët e rinj janë nga të gjitha grupmoshat dhe shumica e tyre janë mbi 60 vjeç.

Gjatë kësaj periudhe janë raportuar katër persona të vdekur, dy prej tyre në Shkup dhe nga një në Manastir dhe Tetovë. Të gjithë personat e vdekur ishin mbi 70 vjeç. Tre prej tyre vdiqën në spital dhe kishin sëmundje shoqëruese. Në raportin e ISHP-së thuhet se të gjithë personat ishin të pavaksinuar kundër Covid-19.

Gjatë këtij viti, deri më 15 shtator, në vend janë regjistruar 1.560 të sëmurë dhe 20 të vdekur me Covid-19.

Ndonëse autoritetet shëndetësore rekomandojnë vetëm vaksinimin si masë specifike parandaluese dhe megjithëse ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 26 gusht kishte paralajmëruar prokurimin e 11 mijë vaksinave, ende nuk ka vaksina në dispozicion të qytetarëve në institucionet shëndetësore publike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume