Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënonte sot mosveprimin e OKB ndaj situatës në Gaza, dhe akuzonte Izraelin se po e kthente territorin palestinez “në varrezën më të madhe në botë të grave e fëmijëve”.

Ai mbështeti gjithashtu Libanin ndaj të cilit Izraeli ka nisur sulmet ajrore dhe të artilerisë kundër grupit Hezbollah, ndërsa dënonte qeverinë e Benjamin Netanyahu për përfshirjen e të gjithë rajonit në luftë.

“E vërteta është se vlerat që Perëndimi pretendon të mbrojë janë duke vdekur… Unë po i pyes organizatat e shumta humanitare: A nuk janë qenie njerëzore ata në Gaza e Bregun Perëndimor?”

Erdogan kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB si të paaftë për të urdhëruar ndalimin e luftimeve duke argumentuar se “bota është më e madhe se pesë,” duke iu referuar pesë anëtarëve të përhershëm të KS, ku përfshihet aleati kryesor i Izraelit, SHBA.

“Çfarë pret Këshilli i Sigurimit për të ndaluar gjenocidin në Gaza, për të ndaluar këtë mizori, këtë barbarizëm?” pyeti Erdogan.

Ai më tej nxiti komunitetin ndërkombëtar të ndalonte “Netanyahun dhe rrjetin e tij të vrasjeve,” duke e krahasuar me liderin nazist Adolf Hitler.

“Ashtu si Hitleri që u ndalua nga aleanca e njerëzimit 70 vjet më parë, Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjeve duhet ndaluar nga një aleancë njerëzore,’” tha ai.

Për fushatën e fundit të Izraelit në Liban, lideri turk tha: “Çfarë prisni më shumë për të ndaluar këtë rrejt masakre që po fut të gjithë rajonin në luftë për hir të mundësive politike?”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume