Kremlini tha të enjten se ndryshimet në doktrinën e armëve bërthamore të Rusisë të përshkruara nga presidenti Vladimir Putin duhet të konsiderohen si një sinjal për vendet perëndimore se do të ketë pasoja nëse ata marrin pjesë në sulmet ndaj Rusisë.

Putin tha të mërkurën se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale dhe se Moska do ta konsiderojë çdo sulm ndaj saj të mbështetur nga një fuqi e Perëndimit si një sulm të përbashkët.

Vendimi për të ndryshuar doktrinën zyrtare bërthamore të Rusisë është përgjigja e Kremlinit ndaj diskutimeve në Shtetet e Bashkuara dhe Britani nëse duhet t’i jepet apo jo Ukrainës leje për të lëshuar raketa konvencionale perëndimore në Rusi.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ishin formuluar rregullimet e një dokumenti të quajtur “Themelet e politikës shtetërore në sferën e parandalimit bërthamor”.

I pyetur nga gazetarët nëse ndryshimet ishin një sinjal për Perëndimin, Peskov tha: “Ky duhet të konsiderohet një sinjal i caktuar”, shkruan Reuters, transmeton Kk

“Ky është një sinjal që paralajmëron këto vende për pasojat nëse marrin pjesë në një sulm ndaj vendit tonë me mjete të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht ato bërthamore”, tha Peskov.

Bota, tha Peskov, ishte dëshmitare e një “konfrontimi të paprecedentë”, për të cilin ai tha se ishte provokuar nga “përfshirja e drejtpërdrejtë e vendeve perëndimore, duke përfshirë fuqitë bërthamore” në luftën e Ukrainës.

Peskov tha se një vendim nëse do të publikohen apo jo dokumentet bërthamore do të merret në një datë të mëvonshme.