Në kuadër të programit të saj për shënimin e datave të rëndësishme për gjuhën, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) shënoi 30 Shtatorin – Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, me temën: “Përkthimi dhe politikat gjuhësore në kontekstin e institucioneve publike”, aktivitet i ndarë në dy pjesë – ceremoniale dhe debutuese.

Këtë aktivitet e çeli drejtori i AZGj-së, Granit Osmani i cili të pranishmëve u uroi mirëseardhje dhe theksoi disa çështje të rëndësishme të punës së institucionit që drejton, e që kanë të bëjnë me mbështetjen që u jepet institucioneve publike në fushën e përkthimit.

Në pjesën ceremoniale ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve publike si: zëvendëssekretari i Qeverisë së RMV-së, Hasim Murtezani; zëvendësministri i Arsimit dhe i Shkencës, Lulzim Aliu, deputetja e koalicionit VLEN, Feride Haxhiu. Ata theksuan rëndësinë e gjuhës amtare, si dhe të një institucioni publik siç është AZGj-ja. Aktiviteti u përshëndet edhe nga Arben Fetai, zëvendëskryeministri për Politikë dhe Qeverisje të Mirë.

Në pjesën debutuese të aktivitetit të cilën e çeli Nebi Bilalli, këshilltar shtetëror i përkthimit i AZGj-së, morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Komesarit të Gjuhëve të Kosovës, me në krye Sllavisha Mlladenoviqin; pastaj përfaqësues nga fakultetet e gjuhëve si të Universitetit të Tetovës (UT), Berton Sulejmani, të Universitetit të Europës Juglindore (UEJL), Demush Bajrami, të Universitetit Shën Kirili dhe Metodiu, Ajtene Qamili dhe Ismet Osmani.

Në debat morën pjesë edhe përfaqësuesja e Shoqatës së Përkthyesve të RMV-së, Blerina Starova – Zllatku dhe Lirim Shala, nënpunës administrativ i AZGj-së. Debutuesit folën për problemet rreth përkthimit cilësor, sfidat e përkthyesve, inteligjencën artificiale në përkthim dhe çështjet e transliterimit në dokumentet e identifikimit.

Përfundimet e këtij aktiviteti u nxorën nga Ahmet Selmani, këshilltar shtetëror i redaktimit, sipas të cilave, duhet të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore që përkthimi të mos trajtohet si shërbim administrativ dhe përkthyesit të kenë një status më të lartë sesa ai i nëpunësit administrativ.