Qëllimi i integrimit evropian nuk është vetëm fakt politik, por është edhe fakt shumë i rëndësishëm ekonomik, derisa çdo lloj shkëputjeje nga ky proces që ka për qëllim afrimin e popujve të Ballkanit në tregun e Bashkimit Evropian, krijon hendikepet e veta, nënvizon për TVM2 Fatmir Mediu, ish ministër i mbrojtjes së Shqipërisë. Thekson se jetojmë në rajon shumë të brishtë i cili është i bartur me probleme të mëdha të sigurisë dhe tensionet e vazhdueshme kanë nevojë për një vështrim të plotë dhe të gjërë të vendeve të BE-së dhe vendeve fqinje, në mënyrë të veçantë mospajtimet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut dhe pasojat që mund të kenë për rajon.

“Lëvizja me vektorë të ndryshëm shpejtësie, edhe e popullsisë shqiptare në rajon nuk është aspak avantazh, por në këtë moment unë mendoj që është shumë e rëndësishme që faktori shqiptar më tepër se sa të bëj politikë sipërfaqësore të debateve të cilat janë pa frut duhet patjetër të ulet dhe të shikojë se kush janë marrëdhëniet që ata duhet të ndërtojnë në këto procese integruese në shërbim të interesit kombëtar shqiptar, pavarësisht se jetojnë në vende të ndryshme. Mungesa e anëtarësimit në kohë të Maqedonisë së veriut padyshim që krijoi edhe një problem në pjesën e shqiptarëve të Maqedonisë, apo edhe të problemeve në Kosovë, apo edhe të shqiptarëve në Malin e Zi. Prandaj them se çdo lloj voneseje në procesin integrues të Maqedonisë së Veriut mos të harrojmë që padyshim ndikojnë edhe në jetën edhe në mundësinë e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”, tha për TVM2 ish ministri i mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu.

Fakti që Shqipëria hapi kapitullin e parë të negocimit me BE-në është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe është një mesazh se rruga e integrimit në BE është një rrugë pa alternativë, thotë për TVM2 ish ambasadori i Shqipërisë në vend. Shton se vetoja bullgare është një humbje kohe sepse destinacioni i Maqedonisë së Veriut është në BE bashkë me Shqipërinë dhe vendet e tjera.

“Tani kur ka ardhur tek Maqedonia e Veriut, natyrisht që ne edhe kur kemi qenë pjesë e kartës së Adriatikut për anëtarësim në NATO, kemi pas një lloj paraleleje, një vonesë të Maqedonisë së atëhershme prej disa vitesh me rradhë. Konkluzioni ka qenë se asnjëra palë nuk fitoi nga humbja e kohës, as Maqedonia për shkak të këmbëngulësisë së saj dhe as Greqia. Dhe të dyja palët më në fund detyrohen të pranojnë një marrëveshje për tejkalimin e problemeve. Unë mendoj se edhe në këtë rast. Vetoja bullgare është një humbje kohe sepse destinacioni i Maqedonisë së Veriut është në BE bashkë me Shqipërinë dhe vendet e tjera.”, u shpreh për TVM2 ish ambasadori i Shqipërisë në RMV, Arben Çejku.

Çejku thotë se për procesin e Berlinit nuk kemi pasur qasje serioze sepse ndërtimi i një iniciative paralele si Ballkani i hapur, ishte një humbje kohe dhe aventurë e rrezikshme që krijoj një lloj mjegullnajë në lidhje me rëndësinë e tij. Por tani që në kuadër të këtij procesi janë ofruar 6 miliard euro për Ballkanin Perëndimor, përfundimisht e kanë kuptuar zyrtarët dhe burokatët në vendet tona se Procesi i Berlinit është e vetmja urë ndihmëse, që ndihmon këto vende për tu përafruar me standardet e BE-së për krijimin e një tregu të përbashkët dhe për evropianizimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.