Një derbi i luajtur me ritëm të lartë, emocione të mëdha dhe futboll cilësor i takoi plotësisht Shkëndijës U16 informon Tetovasot. Skuadra kuqezi, e udhëhequr nga trajneri Ismail Ismaili, dha një tjetër dëshmi të forcës së saj, duke mposhtur një nga pretendentët kryesorë të kampionatit, Skopjen, me rezultat 3:1. Me dominim në lojë, disiplinë taktike dhe një paraqitje që mund të konsiderohet ndër më të mirat e sezonit, Shkëndija vazhdoi serinë pozitive dhe konfirmoi se është një skuadër që meriton të jetë në krye.
SHKËNDIJA U16 NUK NDALET – SUPER DERBI I FITUAR ME FUTBOLL KLASI, LEARD SALIHI SHKËLQEN ME DY PERLA!
Shkëndija U16 vazhdon marshimin fitues dhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët. Skuadra e drejtuar nga Ismail Ismaili zhvilloi ndoshta ndeshjen më të mirë të sezonit, duke mposhtur Skopjen, një nga ekipet më cilësore të ligës.
Ishte një super derbi me ritëm të lartë, duele të forta dhe një luftë të pakompromis për çdo top. Futbollistët kuqezi dominuan në çdo repart, duke treguar disiplinë taktike, karakter fitues dhe futboll modern.
Heroi i ndeshjes ishte Leard Salihi, i cili realizoi dy gola të jashtëzakonshëm, dy “perla” që ndezën entuziazmin në fushë. Fitoren e vulosi Ron Memedi me një tjetër gol të bukur, ndërsa Shkëndija krijoi shumë raste të pastra shënimi dhe ndërtoi aksione model nga fillimi deri në fund.
Përveç repartit ofensiv, mbrojtja ishte në nivel të lartë, me koordinim të shkëlqyer dhe organizim që nuk i la pothuajse asnjë hapësirë kundërshtarit.
Pas ndeshjes, trajneri Ismail Ismaili u shpreh:
“Jam jashtëzakonisht krenar për djemtë. Sot treguan karakter, disiplinë dhe cilësi të lartë futbollistike. Fituam ndaj një kundërshtari shumë të fortë, por mbi të gjitha fituam me lojë të bukur dhe me shpirt skuadre. Kjo fitore është rezultat i punës së përditshme dhe dua t’i përgëzoj të gjithë futbollistët për angazhimin maksimal. Duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë, sepse sezoni është i gjatë, por kjo paraqitje tregon se jemi në rrugën e duhur.”TS