Barcelona i dha fund një serie prej 7 fitoreve rresht në të gjitha garat, duke u mposhtur mbrëmë nga skuadra e Real Sociedad në La Liga.

Blaugranasit u mposhtën me rezultat minimal 1-0, me golin e shënuar nga Sheraldo Becker, teksa kjo ishte disfata e dytë e tyre në La Liga këtë sezon, pas asaj nga Osasuna javë më parë, shkruan Sinjali Sporti.

Megjithatë, pati polemika të mëdha pas kësaj ndeshje, me shumë futbollistë e analistë të cilët e gjykuan gabimisht një vendim të VAR-it.

Bëhet fjalë për një gol të anuluar ndaj Robert Lewandowski në minutën e 15-të, kur pas rishikimit nga VAR-i, doli të ishte pozicion jashtë loje, megjithatë pamjet ishin tejet diskutabile.

Shumë pamje pas ndeshjen u publikuan, duke treguar se në fakt kjo nuk kishte të bënte me një pozicion jashtë loje, pasi mbrojtësi i Sociedad e kishte këmbën më të avancuar se polaku.

Lidhur me këtë reagoi pas ndeshjes edhe trajneri i Barçës, Hansi Flick, i cili tha se goli duhej të ishte i vlefshëm.

“Pashë fotot dhe vendimi ishte i gabuar, është një gol i vlefshëm. Është shumë e qartë, qëllimi duhej të ishte i vlefshëm”, tha ai.

“Por duhet ta pranojmë, nuk duhet të fajësojmë arbitrin sepse të gjithë jemi njerëz dhe bëjmë gabime… sot ishte një gabim i madh”, u shpreh ai pas ndeshjes.