Një tjetër tragjedi ka ndodhur gjatë natës në Mesdhe, ku emigrantët nga brigjet e Afrikës vijojnë të nisen me varka drejt Italisë.
Mediat italiane raportojnë se një varkë me një vajzë vetëm 11-vjeçare është gjetur mëngjesin e së mërkurës në det të hapur jo larg nga Lampedusa. Vajza me origjinë nga Sierra Leone, u shpëtua nga operatorët e Organizatës Joqeveritare Trotamar III, të cilët e shoqëruan më pas atë deri në breg..
Sipas dëshmisë së vajzës, varka ishte nisur më 8 dhjetor nga Sfax, Tunizia, dhe u fundos për shkak të një stuhie. Nga 45 persona që ishin në bord, vetëm vajza mbijetoi. Ajo u gjet në det nga veliera e organizatës Compass Collective, që ndodhej në zonë për një mision tjetër shpëtimi. Vajza kishte arritur të qëndronte mbi varkë, ndërsa ishte ndihmuar edhe nga jeleku i shpëtimit.
Pak para mbërritjes së saj ishin shpëtuar 356 emigrantë të tjerë nga pesë varka. Një prej varkave kishte 111 persona në bord. Shpëtimet u kryen nga rojet bregdetare, njësitë e policisë dhe ato të Frontex.