Zgjedhjet parlamentare tashmë janë afruar. Kanë mbetur më pak se dy muaj kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Partitë politike kanë publikuar edhe listat me kandidatët për deputetë, poashtu edhe kandidatët për kreun e qeverisë.
Përderisa, Vetëvendosja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, garojnë me kryetarët e tyre, Memli Krasniqi si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur të kandidoj më Bedri Hamzën si kryeministër të ardhshëm.
Katër kandidatët janë zyrtarë politike, që të gjithë kanë mbajtur pozita të rëndësishme shteti. Albin Kurti është aktualisht kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte kryeministër vendi, Lumir Abdixhiku ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit në vitin 2020, ndërsa Bedri Hamza është aktualisht kryetar i Komunës së Mitrovicës.
Duke qenë figura politike, ata janë obliguar për të deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Kryeministri Kurti me rreth 468 mijë euro pasuri
Kështu, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në këtë institucion se posedon një banesë në emër të bashkëshortës së tij, që kap vlerën 400 mijë euro. Atë e deklaron se e ka blerë përmes kredisë. Kryeministri nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme, ndërsa mban të kursyera 1.500 euro dhe 2.500 të bashkëshortes së tij.
Ai ka deklaruar se paguan qira për shtëpi në vlerë 250 euro, ndërsa bashkëshortja e tij kredi në vlerën e plotë 270 mijë euro.
19 mijë euro janë të hyrat vjetore të tij si kryeministër, ndërsa të bashkëshortes së tij, 528 mijë korona norvegjeze, apo që në euro është vlerë mbi 45 mijë euro.
Në total pasuria e kryeministrit Kurti kap vlerën prej 468 mijë euro.
Haradinaj mbi 1 milionë pasuri të paluajtshme
Ramush Haradinaj kandidat i AAK-së për kryeministër, ka deklaruar pranë APK-së se posedon katër shtëpi, tokë, truall dhe villë, të gjitha në vlerën 1 milionë e 334 mijë euro. Të gjitha këto pasuri janë në emër të Haradinajt, ndërsa villa është në pronësi të përbashkët.
Ai posedon poashtu një veturë në vlerën 19 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij Anita Haradinaj, një BMË në vlerën 9 mijë euro.
Haradinaj ka treguar se është edhe bashkëpronar në dy kompani me 50% të aksioneve që kanë vlerën nga 500 euro.
Afro 59 mjë euro janë kursimet e Anites, ndërsa ai vetë ka kursyer mbi 16 mijë euro.
Ai ka marrë kredi në vlerën 150 mijë euro për blerjen e shtëpisë, derisa Anita 30 mijë për shkollimin e fëmijëve.
Mbi 101 mijë euro janë të hyrat vjetore të tij duke përfshirë pagën nga Kuvendi, pensionin invalidor, dhe pagesat nga qeratë. Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar mbi 130 mijë euro të hyra vjetore nga paga, nga qeratë e një huazim biznesi.
Në total pasuria e Ramush Haradinajt llogaritet të jetë mbi 1 milionë e 669 mijë euro.
Bedri Hamza me tri banesa e veturë të shtrenjtë
Kandidati tjetër për kryeministër, është Bedri Hamza kryetari i Komunës së Mitrovicës. Ai ka deklaruar se posedon tri banesa, tri garazha, një shtëpi dhe tokë, të gjitha në vlerën mbi 244 mijë euro.
Ai ka deklaruar se posedon një veturë në vlerën 25 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij 9 mijë euro veturë. Mbi 8 euro janë paratë e kursyera të Hamzës dhe bashkëshortes së tij.
Ndërkaq detyrime kredi të dy bashkëshortët kanë në vlerën rreth 35 mijë euro.
Mbi 33 mijë euro janë të hyrat e tyre vjetore, nga paga si kryetar komune, si ligjërues në kolegj privat dhe paga e bashkëshortes që punon në QKMF në Mitrovicë.
Në total pasuria e Bedri Hamzës llogaritet mbi 311 mijë euro.
Abdixhiku me shtëpi 200 mijë euro në Marigona Hill
Në APK ka deklaruar edhe Lumir Abdixhiku. Ai ka deklaruar se posedon 2 shtëpi, një banesë dhe tokë në vlerën 700 mijë euro. Andixhiku ka deklaruar se posedon edhe një veturë në emër të bashkëshortes në vlerën 25 mijë euro.
Mbi 7 mijë euro janë kursimet e tij dhe bashkëshortes, ndërsa mbi 150 mijë euro janë vlerat e kredive që janë në emër të tij dhe bashkëshortes. Njëra ndër to është marrë për blerjen e shtëpisë në një lagje luksoze në Prishtinë.