VLEN në një konferencë për shtyp ka reaguar në lidhje me aktakuzën e Prokurorisë për keqpërdorime të mjeteve financiare në procedurën e ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë.
Nga VLEN thonë se nuk janë befasuar me këtë rast, por se janë të zhgënjyer.
“Jemi këtu për të dëshmuar angazhimin tonë për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Çdo hap që ndërmarrim synon t’ju kthejë dinjitetin, drejtësinë dhe shpresën. Koalicioni VLEN është me ju, për të ndërtuar një shoqëri ku llogaridhënia dhe transparenca triumfojnë mbi korrupsionin dhe abuzimin.
Ndaj, sot me ju qytetarë të nderuar po ndajmë edhe shqetësimin tonë që edhe kësaj radhe nuk u befasuam por u zhgënjyem kur zbuluam që pushteti kaluar dëshmuan se janë hajna të paskrupull që kanë vjedhur edhe në bibliotekë e teatër.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ka ngritur aktakuzë për vjedhjen e 13.5 milionë eurove gjatë ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Dokumentet janë manipuluar, rregullat e procedurës janë shkelur dhe detyrat zyrtare janë keqpërdorur nga hajdutët e pushtetit të kaluar. Ky pushtet ka emër – partia non grata BDI. Ky është vetëm një tjetër dëshmi e pangopësisë së tyre! Dënimin që ua dhatë në zgjedhje ishte i merituar, dhe drejtësia që po vjen e bën atë edhe më të rëndësishëm!
Pra, jeni mësuar tashmë që pothuajse çdo natë të dëgjoni lajme të natyrës se buxheti i shtetit është dëmtuar me kaq milionë euro, miliona të tjerë janë keqpërdorur, e kështu me radhë. Këto janë parimet me të cilat ka vepruar pushteti i kaluar.
Fundi i tyre do të jetë edhe më i trishtë. Kultura shqiptare e bibliotekat do të ndërtohen pa u vjedhur, e do të pasurohen me vepra e tituj për të pasuruar mendjet e jetën kulturore të qytetarëve tanë. Hajnat që kanë vjedhur tani ndodhen përballë dy zgjedhjeve: ose të largohen si e kanë bërë zakon dhe të fshihen jashtë vendit, ose të përballen me drejtësinë këtu dhe të përfundojnë aty ku e kanë vendin, pas grilave.
Hajnat prapa grilave, qytetarët do të jenë triumfues e para hajnave. Hajnat do të ngelin pa dinjitet, qytetarëve do tu kthehet dinjiteti i humbur nga keqqeverisja”, kanë thënë nga VLEN.