Forcat gjermane duhet të jenë gati për luftë, që do të thotë se nevojiten më shumë shpenzime, tha ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius në një intervistë për grupin mediatik Funke .

“Ne kemi nevojë për një buxhet të mbrojtjes më tepër se 90 miliardë euro në vit nga viti 2028 e tutje për të përmbushur kërkesat që kemi për shkak të situatës së shtrënguar të sigurisë ,” tha Pistorius.

Pistorius përmendi në mënyrë specifike presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka zhvilluar një luftë agresioni kundër Ukrainës për gati tre vjet dhe ka kërcënuar të sulmojë aleatët që po mbështesin Kievin në përpjekjet e tij për të mbrojtur veten.

“Nëse Putin sulmon , ne duhet të jemi të aftë për të bërë luftë ,” tha Pistorius në intervistën e botuar të shtunën.

Komentet e ministrit vijnë mes një shtytje për anëtarët e NATO-s për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes, me Sekretarin e ri të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke thënë se anëtarët e aleancës duhet të shpenzojnë “shumë më shumë” për mbrojtjen sesa objektivi aktual prej 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump thuhet se u ka thënë zyrtarëve evropianë se dëshiron që aleatët e NATO-s të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen.

Për të siguruar një rritje të tillë buxhetore , Pistorious tha se do të favorizonte një reformë të frenimit të borxhit të Gjermanisë , e cila vendos një kufi kushtetues në deficitin buxhetor.

“Unë mendoj se është politikisht e gabuar t’i përmbahemi rreptësisht frenimit të borxhit në këtë situatë,” tha Pistorius. “Nëse ne financojmë shpenzimet e nevojshme për mbrojtjen tonë nga buxheti normal, kjo mbyt aftësinë e shtetit për të vepruar , rrezikon sigurinë shoqërore dhe kështu forcon partitë ekstremiste.”

Frena e borxhit, e cila u shkrua në kushtetutë nga kancelarja e atëhershme Angela Merkel në 2009, kufizon deficitin strukturor buxhetor në 0.35 për qind të PBB-së në kohë normale. Është kritikuar gjithnjë e më shumë se nuk është në harmoni me realitetet moderne.

Pistorius foli gjithashtu në favor të pjesëmarrjes së Gjermanisë në një përpjekje evropiane për të dërguar paqeruajtës në Ukrainë – por theksoi se një plan i tillë mund të zbatohet vetëm pasi të përfundojë lufta .