Një sulm me armë zjarri në Haiti ka lënë të vdekur tre persona. Ngjarja ndodhi gjatë një konference që po mbahej për të njoftuar rihapjen e spitalit më të madh publik në vend, kur disa persona të armatosur hapën zjarr ndaj gazetarëve, policisë dhe bluzave të bardha.
Si pasojë e këtij sulmi, dy gazetarë dhe një oficer policie u qëlluan për vdekje, njofton BBC, teksa të tjerë u plagosën duke u transportuar me urgjencë drejt spitalit të përgjithshëm në kryeqytetin Port-au-Prince.
Mësohet se vendi ishte rimarrë nga qeveria e Haitit në Korrik të këtij viti, pasi u pushtua dhe u shkatërrua nga bandat, ndërsa aleanca e bandave Viv Ansamn, e cila kontrollon pjesën më të madhe të qytetit, ka marrë përsipër sulmin.
“Në rroba kam gjakun e disa gazetarëve të plagosur”, tha një reporter që dëshmoi dhunën në vendngjarje, teksa e cilësoi si një film të tmerrshëm.
Kreu i këshillit presidencial, Leslie Voltaire shprehu ngushëllimet për humbjet në këtë sulm.
Ai garantoi se një akt i tillë nuk do të mbetet pa pasoja duke siguruar ndëshkimin e autorëve përgjegjës.