Sot kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani priti në takim zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhitin.

Në takim u diskutua për projektet që janë ndarë për Komunën e Gostivarit nga Qeveria si dhe për projektet që janë ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, siç është ndarja e mjeteve për Komunën e Gostivarit për ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik për Bllokun urban 21 me 87 milionë denarë si dhe sigurimi i fondeve nga Banka Evropiane e Investimeve për realizimin e projektet të rezervuarit në fshatin Çegran me vlerë 30 milionë denarë dhe linja e re e ujësjellësit nga Forina në Çegran me vlerë 28 milionë denarë, si dhe kanalizimi në këtë fshat.

Poashtu me mbështetje nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, sigurohen mjete që Gostivari të bëjë selektimin e mbetjeve nga amvisëritë, i cili përfshinë kanta, kontenjerë dhe kamionë për bartjen e mbeturinave.

Nga Programi për shfrytëzimin e mjeteve për dotacione kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale për projektet infrastrukturore për vitin 2024 nga Qeveria, Gostivarit i janë ndarë mjete prej më shumë se 161 milionë denarë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Poashtu, në thirrjen e dytë qeveritare të këtij viti, Komunës së Gostivarit pritet t’i pranohen edhe 40 projekte infrastrukturore, krahas 13 projekteve që u pranuan dhe pritet të fillojnë në periudhën në vijim.