Numri i të sëmurëve me grip është rritur me 3.2 herë në periudhën 6-12 janar krahasuar me javën e parë të janarit. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se janë raportuar 1053 raste me grip apo sëmundje të ngjashme me gripin.

Për herë të parë këtë sezon, incidenca e raportuar është mbi kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit, pra është tejkaluar pragu i hyrjes në sezonin e gripit.

Për sa i përket moshës, 633 persona janë nga mosha 15 deri në 64 vjeç, 179 janë fëmijë nga mosha pesë deri në 14 vjeç dhe 144 janë nën moshën katër vjeç. Nëntëdhjetë e shtatë janë njerëz mbi 65 vjeç.

Numri më i madh i të sëmurëve është në Shkup (305), pasuar nga Dibra me 134, Kumanova me 118, Tetova dhe Gostivari me 66, Kavadari me 62 dhe në qytetet e tjera numri i të sëmurëve është më pak ose i barabartë me pesëdhjetë.

“Ka një rritje të numrit të sëmundjeve të ngjashme me gripin, i cili është mbi kufirin javor për aktivitetin sezonal për herë të parë këtë sezon. Rezultatet e marra nga survejimi virologjik i gripit tregojnë se ka aktivitet rajonal të virusit të influencës. Përqindja e pozitivitetit është mbi 10 për qind për herë të parë këtë sezon. Sipas këtyre të dhënave, Republika e Maqedonisë së Veriut ka intensitet mesatar të virusit të gripit”, konstaton ISHP.

Nga aty kujtojnë se vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive ndaj kësaj sëmundjeje. Në javën e dytë të vitit, gjithsej 72,318 persona janë vaksinuar me vaksinë falas ose komerciale të gripit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume