Koreja e Veriut po bëhet gati të hapë për turistët e huaj resortin bregdetar Wonsan-Kalma. Ky projekt ambicioz i diktatorit Kim Jong-un ka hasur vonesa të shumta që prej fillimit të ndërtimit, por më në fund pritet të hapet këtë verë, shkruan A2 CNN.
Resorti, i ndërtuar mbi një bazë të vjetër raketore, u frymëzua nga një mision studimor në Spanjë në vitin 2017. Megjithatë, ndërtimi ka hasur vështirësi, duke përfshirë dhe mbipopullimin nga të pastrehët, të cilët ndotën ambientet bosh të hoteleve.
Pavarësisht kësaj, kompania ruse e udhëtimeve Vostok Intur ka nisur shitjen e paketave turistike për korrik dhe gusht, me një çmim rreth 1800 euro për një javë. Platforma britanike e udhëtimeve “On The Beach” krijoi një faqe regjistrimi për të matur interesin dhe u befasua kur 250 persona nga Britania e Madhe shprehën dëshirën për të vizituar resortin, raportoi “The Sun”.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se pushimet në Korenë e Veriut mund të jenë të rrezikshme dhe joetike. Greg Scarlatoiu, drejtor i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut, thekson se resorti është ndërtuar me punë të detyruar dhe kujton raste tragjike si ai i Otto Warmbier, studenti amerikan që vdiq pas ndalimit brutal nga autoritetet koreano-veriore.
Edhe Zyra e Jashtme britanike këshillon kundër udhëtimeve jo të domosdoshme në këtë vend, duke paralajmëruar për dënime të ashpra për veprime të vogla, si mosrespektimi i imazheve të liderëve koreano-veriorë.
Ndërsa interesi i disa britanikëve mbetet i lartë, mbetet e paqartë nëse turistët perëndimorë do të lejohen zyrtarisht të vizitojnë këtë resort në të ardhmen e afërt.