Presidenti i përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa do të udhëtojë drejt Ankarasë të martën për vizitën e tij të dytë zyrtare të jashtme pas Arabisë Saudite, njoftoi presidenca turke të hënën.
“Presidenti kalimtar i Republikës Arabe Siriane, Ahmad al-Sharaa, do të vizitojë Ankaranë të martën, më 4 shkurt, me ftesë të presidentit tonë, Rexhep Tajip Erdogan”, tha në median sociale “X” drejtori i komunikimit për presidencën turke, Fahrettin Altun.
Ky do të jetë udhëtimi i dytë zyrtar i udhëheqësit të ri sirian që nga ardhja në pushtet, pas vizitës në Arabinë Saudite të dielën e kaluar.
Qeveria e re e tranzicionit e Sirisë, e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa, ka shtyrë për t’i dhënë fund sanksioneve në mënyrë që të mund të rindërtojë vendin pas gati 14 vjetësh të një lufte civile shkatërruese.
Ankaraja është zotuar të ndihmojë rindërtimin e Sirisë pas Assad-it dhe ka kërkuar bashkëpunim ndërkombëtar.
Presidenti turk përsëriti përkushtimin e Turqisë për të mbrojtur qytetarët e saj kurdë dhe për të siguruar të ardhmen e tyre.
“Ne jemi ndjekës dhe përkrahës të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të vëllezërve tanë kurdë, ashtu si çdo grup tjetër në Siri, dhe jemi garantues i sigurisë së kurdëve”, tha Erdogan.
Ai identifikoi YPG-në si kërcënimin më të rëndësishëm në Siri.
“Aktualisht, problemi më serioz në Siri është organizata terroriste YPG, e cila ende zë gati një të tretën e territorit të vendit”, ravijëzoi presidenti turk.