Shkëlzen HALIMI

Çmimet për letërsi ndahen edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë. Por, diçka të tillë nuk kanë shkrimtarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Nuk kanë asnjë çmim (tradicional) që do t’u ndahej më të mirëve, bie fjala, në fund të vitit? Fatkeqësisht, diçka të tillë nuk kanë. Ndonjë nga ata që shkruajnë tregime e vjersha, herë – herë edhe shpresojnë për “mëshirë” nga Shqipëria e Kosova, së paku për ta arsyetuar eventualisht idenë e gjithë-përfshirjes.
Komuniteti (nëse mund të thuhet kështu) i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një komunitet që nuk vlerësohet, një komunitet që nuk ka çmim dhe disi i mbetur margjinave të rrjedhave të prodhimit letrar. Dhe, duket qartë se këtij komuniteti kjo mungesë nuk i bën fare përshtypje.
Në fakt, nuk është komunitet që nuk boton, përkundrazi ka aq shumë botime, sa që për dikë nga jashtë ndoshta do të konsiderohej i pabesueshëm numri i botimeve brenda një viti. Botohen edhe mbi 100 vepra letrare, të subvencionuara nga Programi vjetor për botime i Ministrisë së Kulturës, por të cilat botime askush nuk e di të tregojë se ku përfundojnë, sepse në të gjitha vendbanimet shqiptare të Maqedonisë së Veriut funksionojnë jo më shumë se 3 librari, fakt ky që gjithashtu nuk i bën përshtypje këtij komuniteti.
Pra ky komunitet deri më tani nuk e ka iniciuar as si ide themelimin e ndonjë çmimi për letërsi dhe është pak e besueshme ta iniciojë, sepse nuk ka potencë për diçka të tillë. Nuk e inicion, sepse është i fragmentarizuar dhe i barrikaduar secili në “nahinë” e vet, ndaj dhe është e kuptueshme se pse e kemi këtë gjendje. Çdo qytet (i banuar me shqiptarë) i ka shkrimtarët e vet, bile – bile, shkrimtarët e vet i kanë edhe disa fshatra me numër të madh banorësh dhe veprojnë brenda rrethit të tyre. Është edhe mafia letrare, e cila abuzon tmerrësisht keq me librin. Pastaj janë edhe disa grupime, ku të ashtuquajturit poetë e “marrin” mësysh njëri – tjetrin.
Kjo, gjithsesi është edhe pasojë e mungesës së debatit brenda shkrimtarëve. E për të pasur debat, nevojitet edhe pak njohuri. Ndaj, arsyetimi i këtyre farë “shkrimtarëve” është heshtja dhe janë bëri si “qengji i but që thith dy nëna”. Kurrë, ama bash kurrë, shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë debatuar qoftë edhe për problemin më të vogël. Kurrë, ama bash kurrë nuk është dëgjuar zëri i tyre për kulturën, arsimin, për politikat dështuese të subjekteve politike.
Nuk dëgjohet as tani kur anonimët e zgjedhur bënë vlerësimin e projekteve për këtë vit, me ç’rast u vlerësuan disa individë, por edhe shumë emra që nuk njihen as në lagjet e tyre. Disa individë u fyen e disa individëve iu sigurua një pushim veror në bregdetin shqiptar, sepse për projektet e tyre do të bëjnë harxhime minimale dhe me reston e mjeteve do të rreziten buzë detit, kurse projektet nuk do t’i shohë askujt.
Pra, kemi të bëjmë me një komunitet që ka zgjedhur të vegjetojë margjinave të të gjitha ngjarjeve, përfshi edhe ato që dëmtojnë indin kombëtar. Nuk dëgjohet zëri i tyre, sepse janë të pazëshëm. Janë të shumtë ata shkrimtarë që si shenjë burrërie, në kuptimin e guximit, i kanë vetëm pantallonat. Nuk shohin më larg hundës së tyre. Disa nuk janë as hermafroditë. Pra, komuniteti i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, është një komunitet i përgjumur, impotent që ka zgjedhur vetëkënaqësinë dhe nuk e di akoma se pse e nënçmon vetveten…