Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 4.390 persona apo 21.60 për qind e votuesve të regjistruar.
Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.
Përqindja më e lartë e daljes në zgjedhje është në Ambasadën e Kosovës në Bern të Zvicrës, ku 37.44 për qind e 967 votuesve të regjistruar në dy vendvotime në këtë ambasadë, kanë votuar deri në orën 11:00.
Ndërkaq, dalja më e ulët deri në orën 11:00 është regjistruar në Ambasadën e Kosovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku nga 55 votues të regjistruar kanë votuar vetëm 6 prej tyre apo 10.91 për qind.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?
Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:
Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se qendrat e votimit janë hapur pa vonesa. Ky institucion tha se ka shtuar shtuar kapacitetet në misionet diplomatike, në mënyrë që të garantohet një proces i rregullt votimi.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.
Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur.
Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë.
Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme./ Marrë nga REL