Na ndajnë edhe pak minuta nga nisja e protestës kombëtare të Partisë Demokratike, me mbështetësit e opozitës që kanë nisur grumbullimin në kryeqytet.
Pjesa më e madhe e tyre pritet që të nisin marshimin drejt Kryeministrisë nga selia blu. Gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj raporton se qytetarët kanë në duar flamuj kombëtar, të BE dhe SHBA, por edhe pankartat që evidentojnë luksin e shfrenuar qeveritar sipas tyre.
Disa nga pankartat janë me shishe vere, për të cilat ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka thënë se pinte në zyrë kryeministri Edi Rama, por edhe foto të tjera të kopshtit të Edenit që është ndërtuar brenda oborrit të Kryeministrisë.
Fjalën kryesore në protestë do ta mbajë kryedemokrati Sali Berisha, ndërsa qytetarëve do t’u drejtohet përmes një regjistrimi audio, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej disa muajsh.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi e ka konfirmuar se në protestën e sotme kombëtare të thirrur nga opozita e bashkuar do të ketë një audio-mesazh të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.