LSDM dhe VMRO janë përplasur sot se kush ka harxhuar më shumë para të qytetarëve për reklamim në rrjetet sociale.
Partia opozitare ka akuzuar kryeministrin aktual Hristijan Mickoski se për disa muaj në këtë post ka arritur të harxhojë 60 mijë euro për reklamime në Facebook.
Përderisa qytetarët mezi mbijetojnë në kushtet e rritjes së madhe të çmimeve, përderisa nuk ka para për paga më të larta dhe derisa nuk ka ilaçe, Mickoski shpenzon mijëra euro në Facebook për like, thonë nga LSDM.
– Vetëm një reklamë e tij kushton 600 euro – shumë më e madhe se paga minimale që ai vetë ua “rekomandon” qytetarëve si të mjaftueshme për një muaj të tërë. Shpenzimet në periudhën e kaluar tregojnë se Mickoski ka shpenzuar mbi 60 mijë euro për reklama në Facebook. Ky qëndrim shpërdorues është dëshmi e hipokrizisë dhe arrogancës së madhe të kësaj qeverie. Prioriteti i Mickoskit është marrja e pëlqimeve në fotot dhe videot e tij në Facebook, ndërsa njerëzit po përpiqen të kalojnë muajin. Ky qëndrim vetëm sa konfirmon se për këtë qeverisje qytetarët janë të fundit”, thonë nga LSDM.
Janë kundërpërgjigjur nga VMRO-DPMNE duke thënë se derisa LSDM-ja vidhte shtetin, Zaevi dhe Kovaçevski kanë shpenzuar 280 mijë euro për reklama në Facebook.
280 mijë euro përfunduan me promovimin e politikave të dështuara të LSDM-së, Zaevit dhe Kovaçevskit, të cilat e rrënuan vendin, akuzojnë sot nga VMRO-DPMNE.
“LSD, Zaev dhe Kovaçevski dhanë 280 mijë euro për të mbuluar përgjegjësinë për spitalin modular në Tetovë, për Durmo Tours, për tenderët e Vasko Kovaçevskit dhe për të gjitha krimet dhe dallaveret që kanë bërë. LSD, Zaev dhe Kovaçevski shpenzuan 280 mijë euro për të shpërqendruar njerëzit derisa vëllezërit e Zaev dhe Filipçe po ndërtonin bashkë termocentrale fotovoltaike, ndërsa qeveria e Kovaçevskit ia jepte gruas tokë për një termocentral diellor. LSD, Zaev dhe Kovaçevski, në vend që t’i shërbejnë popullit, shpenzuan 280 mijë euro për gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre”, shtojnë nga VMRO-DPMNE. /tvklan.mk