Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, u është drejtuar shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me një mesazh të veçantë në prag të zgjedhjeve të 25 tetorit, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dhe të përfaqësimit politik e institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Mexhiti ka vlerësuar se këto zgjedhje përbëjnë një moment të rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës, të cilët prej vitesh përballen me sfida që kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje institucionale. Ai ka përmendur respektimin e të drejtave kombëtare, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë.

Sipas tij, bashkimi i subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët është një zhvillim me rëndësi, që dëshmon se, përtej dallimeve politike, ekzistojnë interesa të përbashkëta që kërkojnë koordinim, përgjegjësi dhe angazhim institucional.

Duke u bazuar edhe në përvojën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Mexhiti ka theksuar se avancimi i të drejtave kombëtare kërkon përkushtim të vazhdueshëm, përgjegjësi politike dhe institucione që garantojnë barazi për të gjithë qytetarët.

Ai ka nënvizuar se shqiptarët e Luginës meritojnë respektimin e plotë të identitetit të tyre kombëtar, arsimim në gjuhën amtare, mundësi të barabarta ekonomike dhe përfaqësim të denjë në çdo nivel institucional.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume