Më 9 shkurt, afro 800 mijë qytetarë të Kosovës hodhën votën e tyre për të shprehur vullnetin e tyre se kush do t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i hyri garës zgjedhore me pretendimet për t’i marrë 500 mijë vota, por nuk ia arriti qëllimin.

Një gjë tashmë është thuajse e sigurt, s’ka qeveri pa koalicion.

Kështu thonë edhe rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Nga të dhënat e procesuara të deritanishme del se janë numëruar 99.72 për qind e votave.

E para është Lëvizja Vetëvendosje, 341 mijë e 672 vota apo 40.81 për qind.

Më pas vjen, Partia Demokratike e Kosovës, me 184 mijë e 499 vota, apo 22.05 për qind.

Vendin e tretë e zë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 147 mijë e 827 vota apo 17.67 për qind.

Derisa AAK me partnerët e koalicionit “Për Kosovën Fituese”, renditet e katërta me 62 mijë e 309 vota apo 7.45 për qind.

Me këtë rast, Klankosova.tv ka pyetur edhe tek Ambasadat të vendeve kryesore në Kosovë, rreth asaj se a do të mund të ketë ndonjë bllokadë institucionale muajve në vazhdim.

Rezultatet aktuale zgjedhore i ka komentuar edhe Ambasada gjermane.

“Derisa jemi ende në pritje të rezultateve përfundimtare, duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë se në Kosovë duhet të formohet një qeveri koalicioni”, thuhet në përgjigje.

Tutje në përgjigje thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte me të drejtë kur deklaroi se:

“Ne u urojmë të gjithë politikanëve më të mirën në drejtimin e hapësirës politike dhe për të siguruar që një qeveri e qëndrueshme të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, përfundon përgjigja e ambasadës, njofton Klankosova.tv