Këtë të mërkurë, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) janë paraqitur Valbona Xoxa, nëna e Ajola Xoxës, si dhe biznesmeni Gentian Sula, i cili ndodhet nën masë sigurie.

– Advertisement –

Valbona Xoxa ka qëndruar në SPAK për rreth 15 minuta dhe më pas është larguar ndërsa paraqitja e saj lidhet me hetimin ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili u arrestua më 10 shkurt.

Duket se ka pasur shumë pak pyetje për zonjën Valbona Xoxa, e cila nuk ka bërë asnjë deklaratë për mediat ndërkohë që prokurorët kanë dyshime lidhur me vilën në zonën e Qerretit, e cila i përkiste bashkëshortit të saj të ndjerë. Sipas SPAK, kjo konsiderohet një pasuri e fshehur e Veliajt në bashkëpunim me Ajola Xoxën.

Ndërkohë, më herët gjatë mëngjesit, edhe biznesmeni Gentian Sula është paraqitur pranë SPAK, si pjesë e të njëjtit proces hetimor i cili është nën masën detyrim paraqitje.

Biznesmeni tjetër i përfshirë në dosjen “Veliaj”, Sokol Kryeziu, ka njoftuar SPAK-un përmes një memoje se do të paraqitet të hënën, pasi në momentin e vendosjes së masës “detyrim paraqitje” ndodhej jashtë vendit.

Kryeziu rezulton përfitues i disa procedurave tenderimi, ndërsa më herët, vite më parë, ka qenë punëtor në Ndërmarrjen e Pastrimit në kryeqytet.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e detyrimit për paraqitje për pesë biznesmenë: Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Këto masa janë vendosur në kuadër të të njëjtës çështje për të cilën u arrestua kryebashkiaku i Tiranës.