Gara për “Scudetton” e këtij sezonit nuk mund të ishte më e ngushtë, me Napolin që i bën konak Interit këtë fundjavë, por pa lënë anash edhe Atalantan.

“Football Italia” bëjnë me dije rezultatet që Interi, Napoli e Atalanta shpresojnë gjatë kësaj fundjave.

ÇKA I DUHET INTERIT KËTË FUNDJAVË?

“Neroazzurët” morën nën kontroll vendin e parë, pas fitores në fundjavë ndaj Genoas 1-0, me Napolin që dështoi ndaj Comos 2-1. Kështu, Interi zë vendin e parë me një pikë më shumë se të besuarit e Antonio Contes.

Për Interin, një fitore do t’i largonte ata katër pikë larg Napolit, dhe së paku tre pikë larg vendit të dytë në krye, duke marrë parasysh edhe ndeshjen Atalanta – Venezia.

Atalanta është tre pikë pas Interit para nisjes së kësaj fundjave.

Një barazim më shumë i shkon përshtati Interit sesa Napolit, pasi do ta mbante Interin me një pikë më shumë se Napolin, duke qenë se këto dy ekipe nuk do të përballen më këtë sezon.

Megjithatë, Atalanta do të jetë ajo që përfiton më së shumti nga ky rezultat – në rast se fiton për vete.

Një humbje, normalisht që nuk i konvenon Interit, pasi do të nënkuptonte që Napoli do të rimerrte pozitën e parë me 2 pikë më shumë se Interi, dhe në rast fitoreje të Atalantas, Interi do të binte në pozitën e tretë.

ÇKA I DUHET NAPOLIT KËTË FUNDJAVË?

Asgjë më pak se një fitore nuk i shkon më shumë përshtati skuadrës së Antonio Contes, e cila nuk ka fituar në katër ndeshjet e saj në Serie A gjatë muajit shkurt.

Tre pikë të reja do ta vendosnin Napolin në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Interi e Atalanta – duke marrë parasysh se Atalanta do ta fitojë ndeshjen e saj ndaj Venezias.

Një barazim siç e përmendëm më herët, më shumë i konvenon Interit sesa Napolit, pasi ky i fundit do të barazohej me pikë me Atalantan, gjithmonë duke konsideruar se “La Dea” merr tre pikë ndaj Venezias.

Humbja do të thotë që Napoli do të mbetej katër pikë larg Interit dhe do ta humbiste vendin e dytë në rast të fitores së ekipit të Gian Piero Gasperinit.

ÇKA I DUHET ATALANTAS KËTË FUNDJAVË?

Nëse Atalanta dhe Interi fitojnë, atëherë ekipi i Gasperinit do të mbetej tri pikë pas “neroazzurëve”, por do të kishin mundësi të barazonin pikët me ndeshjen Atalanta – Inter që do të luhet në mars.

Nëse Atalanta dhe Napoli fitojnë, atëherë do të thotë se Napoli do të shkonte në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Atalanta dhe Interi.

Nëse Atalanta fiton dhe Napoli e Interi barazojnë, Interi do të mbetet në vendin e parë me 58 pikë, derisa Napoli e Atalanta do të kishin 57 pikë. Një skenar goxha i bukur për t’u ndjekur.

Nëse Atalanta humb ose barazon me Venezian, atëherë nuk ka rëndësi se çfarë rezultati ka në ndeshjen Napoli – Inter, pasi do të mbeteshin në vendin e tretë në tabelë.