Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmad al-Sharaa, ka deklaruar se përpjekjet për të dëbuar me forcë palestinezët nga Gaza përbëjnë “një kërcënim jo vetëm për popullin palestinez, por për të gjithë kombin arab”.
Duke folur në një takim urgjent të Ligës Arabe në Kajro të martën, al-Sharaa ka kërkuar unitetin e vendeve arabe në këto raste, raporton AP.
“Vendet arabe duhet të jenë të bashkuara në pozicionet e tyre dhe të marrin përgjegjësitë e tyre ndaj këtyre njerëzve që kanë vuajtur të gjitha llojet e shtypjes dhe padrejtësisë”, ka thënë ai në fjalimin e tij.
Al-Sharaa ka shtuar se në Siri, Izraeli ka “këmbëngulur në politikat e tij të agresionit dhe është përpjekur vazhdimisht të imponojë një realitet të ri në territoret e pushtuara”, duke iu referuar tokës në Lartësitë Golan që Izraeli ka kapur në vitin 1967 dhe territorit shtesë sirian të pushtuar nga forcat izraelite që nga rënia e ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad në dhjetor.
“Ky zgjerim agresiv nuk është vetëm një shkelje e sovranitetit sirian, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe paqen në të gjithë rajonin”, ka shtuar ai.