Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe nisjen e Epopesë së UÇK-së.

“5 Marsi është një rikujtim i fuqishëm për unitetin, qëndrueshmërinë dhe vlerat që na bashkojnë si komb. Kjo ditë shënon nisjen e Epopesë së UÇK-së. Në këtë ditë, kujtojmë heroizmin dhe sakrificat e paimagjinueshme të atyre që e bënë të mundur arritjen e lirisë, duke iu përkushtuar atdheut dhe duke bërë çdo sakrificë për të ardhmen e brezave të ardhshëm.

Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, nderojmë një prej figurave më të shquara të luftës për lirinë e Kosovës. Familja Jashari është simbol i sakrificës, guximit dhe dashurisë për atdhenë. Le të na shërbejnë si shembuj të besnikërisë dhe trimërisë për kombin dhe lirinë!

Jasharajt janë vetë historia jonë!🇦🇱”, ka shkruar Kasami.