Mexhiti: Kemi arritur marrëveshje politike në qeveri, ish-ushtarët e UÇK-së s’do të ndalohen më në kufi

Fletarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, sipas zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Një marrëveshje politike, sipas tij, është arritur në qeveri. Ai thotë se së shpejti do të marrin vendim “që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish-ushtarët e UÇK-së mos të ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut”.
Për shkak që Kosova nuk është anëtare e Interpolit – organizatës më të madhe policore globale, Serbia vazhdimisht i përditëson listat me emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së në këtë institucion të sigurisë, gjoja për “krime lufte”. Për shkak të kësaj, në korrik të vitit 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL-it dhe me pretendimin për krime lufte në vitin 1999 në Kosovë, ishte arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramdani.
“Meqenëse Serbia është anëtare e Interpolit dhe Kosova nuk është, prandaj vazhdimisht i azhurnon listat e ushtarëve, dhe kjo mandej paraqet problem. Këtë problem nuk e kanë zgjidhur për 20 vjet pushtetet e kaluara apo partitë e kaluara shqiptare. Tash mund të them ekskluzive për juve se kemi marrëveshje politike në qeveri. Kemi marrëveshje politike që kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore me modelin kroat, slloven dhe modelet evropiane. Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, po shohim vetëm cilin model të aplikojmë, dhe kjo do të jetë një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme, ushtarët që të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu si lëvizin në vendet e Evropës.
Kemi marrëveshje politike. Duhet ta bëjmë zgjidhjen ose në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose në kuadër të qeverisë, ashtu si e ka zgjidhur Kroacia dhe Sllovenia. Dhe ne kemi marrëveshje politike që kjo të vlejë në kuadër të kësaj qeverie, duke e përmbyllur këtë çështje në mënyrë sistemore. Që ushtarët të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu siç lëvizin gjithandej në Evropë”, thekson Mexhiti në intervistë për Kosovapress.