Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi se sot përfundon transporti i pacientëve për trajtim jashtë vendit, pas tragjedisë në Koçan.
Sipas tij, në ora 11:30 dy pacientë do të dërgohen për trajtim në Suedi, ndërsa pasdite edhe tre të tjerë. Ai theksoi se në ditët në vijim mund të pritet kthimi i disa pacientëve që po trajtohen jashtë vendit.
“Ky është transporti i fundit i pacientëve jashtë vendit. Nuk do të ketë më dërgime të reja, madje presim që disa pacientë të kthehen në ditët në vijim. Sot kemi vetëm për Suedinë dhe me kaq përfundon procesi,” deklaroi Taravari në konferencën e sotme për media.
Ai theksoi se lajmi i mirë është se kanë kaluar 72 orë dhe nuk ka viktima të reja. Gjithsej, 178 pacientë po trajtohen në institucione të ndryshme shëndetësore, nga të cilët 64 ndodhen në spitalet shtetërore dhe 13 në spitale private brenda Maqedonisë.
“Në këtë moment, 101 pacientë janë duke u trajtuar jashtë vendit dhe janë në gjendje relativisht stabile,” përfundoi ministri.