Komunat e Shkupit shpesh përballen me akuza se hartojnë plane urbanistike që i plotësojnë interesat e investitorëve ndërtimor në vend të nevojave të banorëve për jetë me më shumë hapësirë publike dhe gjelbërim, ndërsa me më pak ngarkesë të rrugëve dhe infrastrukturës nëntokësore. Por, në Tetovë shkohet një hap më tej, kështu që investitorët e ndërtimeve i ndryshojnë vetë PDU-të sipas dëshirës së tyre, dhe atë përderisa janë duke ndërtuar, ndërsa autoritetet komunale i mbështesin dhe u marrin taksa komunale, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Rezultati dihet, presion më i madh ndaj hapësirës, rrëmujë në komunikacionin rrugor, sasi të pamjaftueshme të ujit dhe hapësira publike pothuajse inekzistente.
Duke i analizuar të dhënat e PDU-ve në fuqi, të Kadastrës dhe nga hulumtimi në terren, BIRN zbuloi shtatë raste ku investitorët kishin marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të ulëta, ndërkohë që menjëherë kishin hedhur themele për më të larta dhe me komunën kishin filluar procedurë për ndryshimin e planit urbanistik, pra për përshtatjen e tij me planin e tyre të biznesit.
Një shembull të tillë drastik ka në qendër të Tetovës në një parcelë ku planifikuesit profesional kanë parashikuar një ndërtesë katërkatëshe, është ndërtuar një ndërtesë tetë katëshe, pra dy herë më e lartë. Fasada e saj e sapolyer me ngjyrë të bardhë ngrihet lartë mbi shtëpinë fqinje me mure ngjyrë bezh, e cila, nga ana tjetër, si një artefakt e ilustron pamjen e lagjes përgjatë rrugës Bllagoja Toska përpara ekspanzionit ndërtimor.
Urbanizimi intensiv në qendër të qytetit dhe përqendrimi i banorëve në këtë zonë edhe deri më tani e kanë përkeqësuar cilësinë e jetës. Tetovarët ankohen se ata kanë probleme me presionin e ujit në çezmat e tyre, kanalizimin e ujërave të zeza që jo gjithmonë funksionon, grumbullimin e mbeturinave që po bëhet gjithnjë e më i vështirë, nuk kanë gjelbërim të mjaftueshëm, ndërsa lëvizja me automjete nëpër rrugë është një sfidë e vërtetë.
Imazhet e marra nga Google tregojnë se deri para disa vitesh në vend të objektit tetëkatësh në atë lokacion ka pasur një shtëpi familjare trekatëshe, por tani, aty, në të ardhmen e afërt, do të jetojnë dhjetëra familje. Nuk është e vështirë të supozohet se banorët e rinj do të shkaktojnë presion shtesë edhe për shkollat dhe kopshtet e stërbushura të fëmijëve në atë lagje.
Absurditetin e politikës së ndërtimit intensiv dhe përmirësimit arbitrar e dëshmon edhe numri i apartamenteve të pabanuara në Tetovë. Sipas regjistrimit të fundit në 9.747 apartamente nuk banon askush. Në rrafsh kombëtar kjo shifër arrin deri në 307 mijë apartamente të pabanuara.
Sllallom ndërtimor nëpër rregullore
“Më mirë t’i marrim paratë (nga taksat komunale), sesa të prishim”, komentoi për BIRN Rilind Selmani, njeriu i parë i Sektorit të urbanizmit në Tetovë, në pyetjen se përse lejohet ndërtimi dhe më vonë edhe legalizimi i këtyre ndërtesave.
Ai është edhe asistent në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Universitetin e Tetovës dhe këtë informacion mund ta lexoni në pllakën me ngjyrë floriri që është e vendosur në deskun e tij të zyrës në Komunë. Ai këtë post e mban qe një vit e gjysmë.
Selmani, duke argumentuar se ndërtimi i ri në rrugën Bllagoja Toska është i sigurt edhe pse i janë shtuar kate në fakt na e zbuloi mënyrën se si investitori ka ngritur një objekt dy herë më të lartë edhe përkundër udhëzimeve në PDU, ku është paraparë një objekt me një lartësi deri në 16 metra.
Ky ndërtues që në fillim, pra në fund të vitit 2021, kur i është dhënë leja e ndërtimit, ka filluar të ndërtojë një objekt tetë katësh. Projekti arkitektonik, themelet, projektimi sizmik dhe të gjitha përgatitjet janë bërë si për një objekt tetëkatësh sepse investitori ka qenë i bindur se ndërkohë do t’i legalizonte katet shtesë duke e ndryshuar planin urbanistik. Kjo ide e tij nuk është larg realizimit.
Njeriu i parë i Sektorit të urbanizmit në komunën e Tetovës, Selmani, tha se investitori me shpenzimet e veta ka iniciuar një plan të ri urbanistik dhe se dokumenti është gati dhe në pritje të miratimit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
“Paralelisht ndërtohet edhe objekti edhe bëhet ndryshimi i PDU-së”, shpjegoi ai.
Edhe kontrolli jonë në Kadastër tregoi se ky proces nuk ka përfunduar, por se atje banesat janë të regjistruara vetëm deri në katin e katërt.
Një tendencë e ngjashme vihet re edhe në komunat e tjera, ndërsa indikator për këtë është fakti se deri në tre të katërtat e ndryshimeve të PDU-ve janë bërë me kërkesë të individëve apo kompanive dhe jo me iniciativë të pushtetit lokal. Këto janë të dhëna nga hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare.
“Përgatitja e planeve urbanistike nga persona fizikë dhe juridikë lë hapësirë për abuzime”, thuhet në hulumtim, duke u thirrur në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit.
Sekret publik
Ky trend ndërtimor në njëfarë mënyre është sekret publik në Tetovë. Për të na folën kalimtarë, por edhe aktivistë qytetarë.
Një ilustrim të kësaj situate jep edhe anëtari i grupit aktivist “Më mirë për Tetovën”, Ngadhnjim Mehmeti.
“Tre vjet më parë kishim disa objekte të dyshimta: në tabela informative në vendin e ndërtimit thuhej se do të ndërtoheshin gjashtë kate, por në realitet shihni që po ndërtohen tetë apo nëntë”.
“Atëkohë nga organet kompetente kërkuam që të na e dorëzojnë dokumentacionin për të parë se pse është kështu. Nuk morëm përgjigje dhe kështu ky rast u mbyll”, thotë ai.
Pushteti lokal në krye me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në mënyrë artificiale në vitin 2022 inicioi zgjedhje të reja për listën e këshilltarëve, duke mos e votuar llogarinë përfundimtare, me çka e largoi grupin qytetar “Më mirë për Tetovën” nga Këshilli komunal.
“Nuk është e qartë nëse Tetova mund të përballojë këtë nivel të ndërtimit nga aspekti infrastrukturor, nga aspekti i furnizimit me ujë, kanalizimi e deri tek grumbullimi i mbeturinave. Kemi problem me ujin. Për momentin qyteti nuk ka kapacitete të tilla”, thotë aktivisti qytetar Mehmeti.
Vetëm njëqind metra pas ndërtesës tetëkatëshe në Bllagoja Toska, afër bulevardit Boris Kidriç, i cili po rikonstruktohet, edhe një objekt tjetër është ngritur më lartë se sa është e paraparë me PDU-në.
Me planin urbanistik atje është paraparë një ndërtesë gjashtëkatëshe, por karabina e kuqërremtë në tokë ka edhe dy më shumë – tetë. Sipas sqarimit të urbanistit komunal Selmani, ky objekt ka filluar të ndërtohet në mënyrë të ngjashme me objektin e tij “fqinj”, me synimin që të ketë më shumë nivele.
Dhe ajo po pret që i njëjti PDU t’i kalojë procedurat përmes Ministrisë së Transportit, që pastaj banesat në katet shtesë të regjistrohen në Kadastër.
Ndryshimet në planet urbanistike, të cilat i legalizojnë këto kate shtesë, e kalojnë të njëjtën procedurë si PDU-et e rregullta, shpjegon Selmani për BIRN.
Ai thotë se komuna i informon qytetarët në kohë dhe në mënyrën e duhur, duke u ngjitur njoftime para shtëpive apo ndërtesave dhe duke kryer anketa dhe tribuna, në të cilat duhet të dëgjohen mendimet e ekspertëve dhe njerëzve që jetojnë në lagjen e caktuar.
“Disa qytetarë i kundërshtojnë ndryshimet, por ka edhe të tjerë që këmbëngulin për të ndërtuar”, thotë urbanisti i parë i qytetit.
Mbindërtime edhe serioze dhe suptile
Bulevardi “Bllagoja Toska”, i cili kalon nëpër pjesën qendrore të Tetovës, konsiderohet veçanërisht i rrezikshëm për shkak se në të kanë ndodhur një numër i madh i aksidenteve rrugore. I fundit ndodhi në janar kur një shofer i panjohur goditi një grua, e cila pësoi lëndime të rënda trupore.
Përveç objekteve tetëkatëshe të paplanifikuara të cilat e presin PDU-në e ri, në anën tjetër të bulevardit është ngritur një objekt tjetër më i lartë se sa që është paraparë me PDU-në. Aty, në vend të një shtëpie familjare të rrënuar, ishte planifikuar të ndërtohej një objekt trekatësh me kat përdhes dhe një bodrum, por që tani në atë vend është ngritur një objekt pesëkatësh.
Sipas pamjes kati i përdhes me sa duket do të jetë një hapësirë komerciale, ndërsa hyrja në objektin e ri në mënyrë jo të zakonshme është vendosur nga pjesa e pasme e ndërtesës, deri tek e cila mund të arrihet përmes një korridori të ngushtë pranë shtëpisë fqinje.
Kur u prezantuam si blerës të interesuar përgjegjësi i shitjeve në një bisedë telefonike na shpjegoi se në atë objekt nuk kishte më apartamente për shitje, gjithçka ishte shitur tashmë.
Por, kontrolli i kryer në Kadastër nxori në pah se kati i katërt dhe i pestë nuk ekzistojnë në dokument.
“Nuk i lejohet të ndërtojë edhe dy kate më shumë”, tha kryeurbanisti Selmani, por nuk e përjashton mundësinë që ky objekt t’i legalizojë nivelet shtesë si tetëkatëshet në anën tjetër të bulevardit.
Përveç këtyre tre ndërtesave që kanë “ngritur” disa nivele më shumë, BIRN gjeti edhe katër ndërtesa të tjera që “ishin rritur” gjatë ndërtimit. Ata ose i kanë legalizuar mbindërtimet me miratim për ndryshime gjatë ndërtimit, ose për momentin janë duke kaluar në atë proces konkret administrativ.
Specifikë e legalizimit të metrave katrorë shtesë përmes miratimit për ndryshime, në krahasim me procedurën më komplekse për ndryshimin e PDU-së, është se ajo bëhet kur pjesa e mbindërtuar është më e vogël.
“Ndryshimet miratohen për finesa, për ndonjë ndryshim të vogël. Por nuk mund të marrësh miratim për ndryshim të ndërtimit për dy kate të tjera, duhet ta ndryshosh PDU-në”, thotë urbanisti i parë i qytetit, Selmani.
Përveç Shkupit, Tetova është në fakt qyteti me numrin më të madh të lejeve për ndërtim në periudhën 2018-2022. Për këto katër vite komuna ka lëshuar 1.073 leje ndërtimi, tregon kështu hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare.
Selmani, siguron se banesat shtesë nuk do ta përkeqësojnë cilësinë e jetës në Tetovë. Komuna ka pasur në plan që me 40 milionë nga BE-ja ta ndryshojë rrjetin e kanalizimit, të ndërtojë dy parqe të reja, ndërsa në vijim e sipër është procedura për ndërtimin e dy bulevardeve të reja.
Mirëpo, edhe tani Tetova kot që ka bulevarde me tre korsi, kur në të shumtën e rasteve përdoret vetëm një. Dy korsitë e tjera përdoren për një qëllim krejtësisht ndryshe – përdoren për parkim me pagesë, por edhe për parkim të palejuar.
Qarkullimi me makinë nga një pikë në tjetrën përmes qendrës së qytetit mund të zgjasë një gjysmë ore irrituese. Kur bie shi bëhet edhe më e vështirë për ta përballuar. Këtë e dëshmuam rreth dhjetë ditë më parë.
Teksa po largoheshim nga qyteti pamë një ambulancë që po kalonte nëpër kolonën e automjeteve, me shumë zhurmë dhe akoma më ngadalë përgjatë bulevardit kryesor, rrugës për në spital.