Kocevski: Kërkohen katër paraburgime, shtatë paraburgime shtëpiake, një nga të dyshuarit nuk është në Maqedoni: detaje të reja për zjarrin në Koçan

Trembëdhjetë prokurorë janë duke punuar në çështjen për zjarrin në klubin “Puls” në Koçan. Prokurori i përgjithshem, Lupço Kocevski, tha se për zjarrin janë nën hetim pronarët, menaxherët, përdoruesit e piroteknikës dhe sigurimi. Për neglizhencat e vazhdueshme që kanë mundësuar funksionimin e klubit pa i plotësuar kushtet, të dyshuar janë ish-ministra, ish-drejtorë dhe drejtorë aktualë, inspektorë dhe ish-kryetarë komunash. Kocevski tha se janë kërkuar masa sigurie për 19 persona të dyshuar rishtazi.
“Për katër persona kërkohet paraburgim, për shtatë arrest shtëpiak në kombinim me ndalim të komunikimit, dhe për shtatë të tjerë kërkohen masa kujdesi, ndërsa një i dyshuar nuk ndodhet fare në Maqedoni. Po hetohen disa linja përgjegjësie”, tha Kocevski.
“Përveç tre kryetarëve të komunave, ka dyshime të bazuara për lëshime edhe nga tre inspektorë ndërtimorë (nga komuna Koçan), të cilët nuk kanë kryer asnjë kontroll inspektues në objektin që ishte shndërruar në mënyrë të paligjshme në lokal gastronomik”, tha Kocevski.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre persona janë të dyshuar sepse gjatë viteve nuk kanë ndërmarrë asnjëherë masa monitorimi, ndjekjeje dhe mbikëqyrjeje inspektuese, shtoi Kocevski.
“Me moskryerjen e detyrave të tyre, në kundërshtim me interesin publik, ata i kanë ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut për shëndetin dhe jetën e tyre”, shtoi ai.
Kocevski bëri të ditur se të dyshuar janë edhe dy sekretarë shtetërorë, një ministër i ekonomisë dhe tre zyrtarë që kanë punuar në sektorin e gastronomisë dhe turizmit në Ministrinë e Ekonomisë.
“Ata i kanë mundësuar ‘Puls’-it të marrë licenca dhe të vazhdojë në mënyrë të paligjshme të kryejë veprimtari gastronomike”, shtoi Kocevski, duke sqaruar se “ministri aktual i ekonomisë nuk është përfshirë sepse pronari nuk ka iniciuar procedurë për licencë në kohën e tij”.
Katër inspektorë nga Inspektorati i Tregut janë gjithashtu të dyshuar.
“Më herët janë dyshuar edhe tre zyrtarë të tjerë – inspektorë. Po vazhdojnë kontrollet edhe për drejtorët e Inspektoratit të Tregut, pasi gjatë mandatit të tyre ka funksionuar klubi me licencë të falsifikuar, si dhe licenca të tjera që janë në proces verifikimi”, shtoi Kocevski.
Po zhvillohet hetim ndaj 47 personave fizikë dhe tre personave juridikë.
“Hetimet përfshijnë edhe shtatë zyrtarë policorë. Po ndërmerren veprime hetimore”, përfundoi Kocevski.