Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me qëndrimin e partisë së Taravarit në koalicionin VLEN. Në një intervistë për Click Plus, Mexhiti theksoi se bashkëpunimi me BDI-në dhe qëndrimi në qeveri nga ana e Taravarit është në kundërshtim me teorinë politike dhe vlerat e VLEN-it.
Ai theksoi se duhet të qartësohet pozicioni i Taravarit, duke shtuar se “nuk mund të jesh edhe me ne dhe edhe me BDI-në”. Mexhiti vuri në dukje se VLEN-i ka favorizuar Taravarin dhe dëshiron që ata të jenë pjesë e koalicionit, duke vlerësuar kontributin e tyre të rëndësishëm në krijimin dhe forcimin e koalicionit. Megjithatë, ai bëri të qartë se nuk do të tolerojnë që dikush të jetë me VLEN-in dhe njëkohësisht me BDI-në.
“Uroj që Taravari dhe strukturat e tij të reflektojnë dhe të bëjnë një zgjedhje të qartë. Ne e vlerësojmë kontributin e tyre, por duhet të jemi të qartë: nuk mund të kemi bashkëpunim të dyfishtë”, tha Mexhiti.