Nuk ka ende një vendim zyrtar se si do të veprojnë deputetët e koalicionit VLEN në Kuvend, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga Koalicioni VLEN. Shefi i grupit parlamentar, Halil Snopçe, i cili vjen nga radhët e ASH-së së Arben Taravarit thekson se tani për tani nuk ka ndonjë paralajmërim se koalicioni do të veprojë ndaras në Kuvend.

“Për momentin nuk ka paralajmërim as nga ana jonë e as nga ana e partnerëve tanë se do të veprohet me grupe të veçanta parlamentare. Kjo i bie se ende po veprojmë si grup i përbashkët parlamentar. Fundja, këto vendime qoftë të njërës, qoftë të palës tjetër kanë të bëjnë për zgjedhjet e ardhshme lokale”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i ASH.

Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, sot theksoi se ende nuk është biseduar se si do të funksionojë grupi parlamentar, megjithatë tha se çdo deputet do të jetë i mirëseardhur në grupin parlamentar të VLEN-it, nëse është i gatshëm të jetë pjesë e transformimit të koalicionit në një parti politike.

Grupin parlamentar të koalicionit VLEN tani për tani e përbëjnë 14 deputetë. Pesë deputetë janë të Aleancës për Shqiptarët, nga 3 të Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, 2 të Lëvizjes BESA dhe 1 deputet i pavarur, respektivisht Bekim Qoku.

Sipas rregullores së Kuvendit për të formuar grup parlamentar, duhet pasur së paku pesë deputetë, që do të thotë se Taravari ka mundësi të formojë grupin e vet parlamentar nëse janë të pajtimit deputetët Halil Snopçe, Rijad Shaqiri, Mimoza Musa, Sadik Sulejmani dhe Salim Sulejmani.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume