Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, ka reaguar përmes një deklarate publike ku shprehet qartë se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e marrëveshjeve politike të fshehta, duke vendosur theksin te transparenca, sinqeriteti dhe angazhimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Nuk kemi asgjë për të fshehur, dhe për këtë arsye nuk frikësohemi nga përballja me popullin,” shprehet Shaqiri, duke theksuar se legjitimiteti i vërtetë buron nga qytetari e jo nga pazaret e prapaskenave politike.

Në këtë frymë, Aleanca për Shqiptarët propozon një model të ri bashkëpunimi në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut: lista të veçanta për partitë politike në zgjedhjet parlamentare, duke ruajtur individualitetin dhe transparencën, ndërsa për kandidatët për kryetarë komunash, kërkohet bashkim rreth figurave më të mira që përfaqësojnë qytetarët dhe jo vetëm interesat partiake.

“Komunat tona nuk kanë nevojë për militantë të emëruar, por për udhëheqës të zotë, vizionarë dhe të ndershëm,” shton deputeti, duke nënvizuar se modeli i propozuar nuk përjashton bashkëpunimin, përkundrazi, e bën më të ndershëm dhe më të dobishëm për qytetarët.

Në fund, Shaqiri e mbyll mesazhin me një qëndrim të prerë: nëse barazia dhe respekti nuk garantohet në marrëveshje të përbashkëta, Aleanca për Shqiptarët do të ecë e vetme, por me “kokën lart dhe me qytetarët përballë”.

“Kush nuk ka çka të fshehë, nuk frikësohet nga drita,” përmbyll ai, duke theksuar se rruga e Aleancës do të jetë gjithmonë në dritë – jo për të treguar superioritet, por për të dëshmuar sinqeritet.