Kocevski, kur foli të dielën, tha se i ka parasysh vëzhgimet kritike të opinionit profesional. Në mbështetje të qasjes së tij, ai solli si argument tre zjarre në shtete të tjera me skenar pothuajse identik si në Koçani. Tha se i ngjashëm ishte edhe qëndrimi i organeve të drejtësisë atje në tragjeditë në klubin “Colectiv” në Bukuresht, Rumani në vitin 2015, në “Kiss” në Santa Maria, Brazil në vitin 2013 dhe “The Station” në West Warwick, SHBA në vitin 2003. Në të gjitha rastet ka shumë viktima, dhe shkaku i drejtpërdrejtë është piroteknika në kombinim me materiale lehtësisht të djegshme. Por, e vërteta del të jetë krejtësisht tjetër! Më poshtë ju ftojmë ta lexoni analizën e përgatitur nga redaksia e 360°

Shkup, 18 prill – E diela është ditë pushimi. Por, e kaluara nuk ishte e tillë për prokurorin publik shtetëror, Lupço Kocevski dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Shkaku i konferencës për shtyp ishte zgjerimi i hetimit për zjarrin në Koçani me edhe 19 persona. Me këtë, në atë moment, numri i të dyshuarve u rrit në gjithsej 52. Bilanci, që atëherë, u rrit edhe një herë – në 59.

Kauzaliteti
Ka kaq shumë të dyshuar sepse prokuroria ndjek penalisht edhe ata që dyshohen si përgjegjës të drejtpërdrejtë për zjarrin, por edhe ata që, sipas prokurorisë, kanë kontribuar në rezultatin.

“Po hetohet përgjegjësia e të gjitha institucioneve dhe personave zyrtarë të cilët me veprimet dhe lëshimet e tyre joligjore, në mënyrë të vazhdueshme çuan në atë që kabareja PULS në Koçanë që nga fillimi, për një periudhë të gjatë kohe e deri në ndodhjen e zjarrit, të vazhdojë të kryejë veprimtari të shërbimeve pa i plotësuar fare kushtet ligjore për këtë dhe me shkeljen e të gjitha rregullave të sigurisë për jetën e personave që e frekuentonin objektin”, deklaroi prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski, më 13 prill 2025.

Termi kyç këtu është kauzaliteti. Në thelb, kjo do të thotë që përgjegjësia penale kërkohet jo vetëm për veprimet që kanë kontribuar drejtpërdrejt në zjarrin, por edhe për një seri lëshimesh që bashkë çuan në atë që objekti të funksionojë fare.

“Objekt analizimi është edhe efekti i ashtuquajtur kumulativ i lëshimeve. Nëse disa persona të ndryshëm gjatë një periudhe të gjatë kohe bëjnë lëshime të përsëritura, ata janë pjesë e një lidhjeje më të gjerë shkaktare. Kjo do të thotë se edhe nëse një lëshim individual nuk është shkaku i drejtpërdrejtë i dëmit, efekti i tyre i përbashkët mund të jetë kritik. Injorimi i vazhdueshëm i rrezikut në një periudhë të gjatë kohe mund të krijojë bazë për përgjegjësi ligjore ose etike”, tha Kocevski.

Ky qasje ndoshta krijon përshtypjen në opinion se institucionet po punojnë seriozisht në ndriçimin e rastit, në të gjitha aspektet e tij. Por, te një pjesë e opinionit profesional ka hasur dhe has në rezervë.

“Problemi me kauzalitetin është që paraprakisht u krijua një përshtypje në opinion se çdo veprim kauzal është veprim fajtor, i qëllimshëm. Por, në thelb, nuk është kështu. Sepse, një veprim i caktuar mund të jetë shkaktar për një pasojë të caktuar, mirëpo kjo nuk do të thotë vetvetiu që është joligjore, dhe së dyti se është fajtor apo i qëllimshëm. Konkretisht, është e pakontestueshme që ka lëshime nga të gjitha anët, nga të gjithë që kanë marrë pjesë, jo vetëm nga viti 2012, por që nga fillimi i shtetësisë sonë ka lëshime në segmente të ndryshme të shoqërisë. Mirëpo, çështja thelbësore që duhet të përcaktohet, dhe jo vetëm të përcaktohet por edhe të provohet, është qëllimi i pjesëmarrësve në veprimet e lëshimit. Është e pakontestueshme që dikush që ka qenë inspektor ndërtimi ose mbikëqyrës i objektit kur është bërë ri-destinimi… është e mundur që nuk ka ndërmarrë një veprim, mirëpo nuk ka pasur në qëllim pasojën që ndodhi në fund”, thotë avokati Zlatko Jakimovski.

Prokurori shtetëror, Kocevski, kur foli të dielën, tha se i ka parasysh vëzhgimet kritike të opinionit profesional. Në mbështetje të qasjes së tij, ai solli si argument tre zjarre në shtete të tjera me skenar pothuajse identik si në Koçani. Tha se i ngjashëm ishte edhe qëndrimi i organeve të drejtësisë atje në tragjeditë në klubin “Colectiv” në Bukuresht, Rumani në vitin 2015, në “Kiss” në Santa Maria, Brazil në vitin 2013 dhe “The Station” në West Warwick, SHBA në vitin 2003. Në të gjitha rastet ka shumë viktima, dhe shkaku i drejtpërdrejtë është piroteknika në kombinim me materiale lehtësisht të djegshme.

“Përgjegjësia nuk ishte e kufizuar vetëm te ata që drejtpërdrejt e shkaktuan zjarrin, por edhe te ata që mundësuan kushte të rrezikshme përmes një serie lëshimesh administrative dhe mbikëqyrëse. Kjo tregon që ligji e njeh kauzalitetin afatgjatë, veçanërisht kur ekziston një model i qartë injorimi të rreziqeve që rezulton në katastrofë”, tha Kocevski të dielën.

Pra, fillimisht kërkuam në internet konfirmim për atë që tha Kocevski. Doli që nuk është tamam ashtu.

Pas zjarrit në “The Station” në SHBA, janë akuzuar dhe dënuar tre persona – dy pronarët e klubit për vrasje nga pakujdesia të 100 personave dhe organizatori i koncertit. Është konstatuar përgjegjësi e tërthortë për lëshime te organet mbikëqyrëse që nuk vunë re se në klub kishte sfungjerë të djegshëm për izolim zanor, por kjo nuk rezultoi me ndjekje penale të tyre.

Pas zjarrit në “Kiss” në Brazil, ku humbën jetën 242 persona, u dënuan katër persona – dy pronarët e klubit dhe dy anëtarë të bendit që performuan atë natë. U gjykuan për vrasje dhe tentativë vrasjeje. Nuk ka informacione që të jenë ndjekur persona të tjerë me përgjegjësi tërthore.

Pas zjarrit në “Colectiv” në Bukuresht, ku humbën jetën 64 persona, janë hapur dy çështje. Në të parën, janë dënuar pronarët e klubit, pirotekniku, por edhe kryetari i komunës dhe dy zjarrfikës. Kryetari dhe zjarrfikësit janë ndjekur për përgjegjësi tërthore, pasi kanë lejuar klubin të funksionojë pa përmbushur kushtet e duhura. Çështja e dytë ka qenë për ministrin e Shëndetësisë, që kërkoi me vonesë transferimin e pacientëve jashtë vendit, çka çoi në shumë të vdekur në mesin e të plagosurve. Ai rast më pas u hodh poshtë.

Meqë numri i të akuzuarve dhe të dënuarve në tragjedi të ngjashme numërohet me gishta, ndërsa në Koçanë tashmë janë pothuajse 60, pyetëm në prokurori – me çfarë të dhënash ata disponojnë, pasi iu referuan atyre. Na u përgjigjën që të dhënat janë në dispozicion publik, por edhe se: “Ajo që është me shumë gjasa specifike për rastin në Koçani, ndryshe nga rastet e ngjashme nga vende të tjera, është se momenti fillestar i lëshimit është shumë vite më parë, nga momenti kur klubi ka filluar të punojë dhe asnjë institucion për më shumë se 10 vjet nuk e ka ndërprerë atë zinxhir shkaktar. Fakti që për shumë vite nuk është bërë mbikëqyrje inspektuese dhe askush nuk ka vepruar për shkelje të qarta të të gjitha rregullave dhe dispozitave teknike dhe të sigurisë, ndikon ndjeshëm në përfshirjen e personave që kanë përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tyre”.

Juristët që kanë qasje kritike ndaj kësaj nuk janë kundër ndjekjes penale të të gjithëve që kanë bërë lëshime. Përkundrazi, thotë Jakimovski, duhet të ndiqen, por secili për veprën që ka kryer.

“Është e pakontestueshme që duhet të kërkohen fajtorët e drejtpërdrejtë. Që në lëshimet e tyre ekzistojnë elementët për vepra të tjera penale. Problemi është ndoshta që disa janë të vjetruara, disa kanë dënime më të buta e kështu me radhë. Por, nuk pamë nga prokurori publik të thotë konkretisht – për cilën vepër penale, përmendet vetëm vepra e rëndë kundër sigurisë nga neni 292 në lidhje me 288, për shkaktim rreziku të përgjithshëm, por askund nuk u sqarua nëse bëhet fjalë për bashkëkryerje, ndihmë, nëse secili nga të akuzuarit ka ndërmarrë veprim të pavarur për kryerjen e veprës penale, nëse kanë vepruar me qëllim të përbashkët dhe në këtë situatë, presioni për ta provuar këtë rast në procedurë gjyqësore është jashtëzakonisht i madh”, thotë Jakimovski.

Përfshirja
Duke ndjekur logjikën e ndjekur nga Prokuroria Publike, janë të dyshuar shumë persona që kanë qenë në pozita në institucione të ndryshme nga viti 2012 deri më 16 mars 2025, dita e zjarrit.
Për shembull, të gjithë kryetarët e komunës së Koçanit në atë periudhë dhe të gjithë drejtorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Por, në opinion mbeti e paqartë – pse janë përfshirë të gjithë ministrat e ekonomisë, përveç të fundit? Dhe pse janë përfshirë fare, nëse që nga viti 2008, siç tha edhe kryeministri, ky ministri nuk është i obliguar të verifikojë vërtetësinë e aplikimeve për licenca?

“Pikërisht këtë po ju them, ky është lëshimi me ndryshimet në ligjin në vitin 2007 që subjekti juridik është ai që vet deklaron se i plotëson kushtet. Po, ky është problemi. Askush nuk e kontrollon, ligji nuk e parashikon”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski më 18 mars 2025.

Kocevski u pyet – pse atëherë nuk është i dyshuar edhe ministri aktual?

“Në rastin konkret, te ministri nuk ka arritur fare dokumentacion për dhënien e licencave dhe prandaj ai nuk mund të jetë përgjegjës në këtë rast, flas për ministrin aktual që është tani në pushtet”.

Kocevski shpjegoi se në kohën e ministrit aktual nuk është kërkuar licencë për “Puls”, prandaj ai nuk mund të jetë përgjegjës. Por, siç tregon regjistri i publikuar, në kohën e ministrit aktual janë kërkuar dhe dhënë licenca për klube të tjera nate. Disa nga ato licenca tani janë tërhequr, pas kontrolleve pas zjarrit në Koçani.
A do të thotë kjo se nuk ka përgjegjësi penale për licenca të pajustifikuara, përderisa nuk ka viktima?

Gjyqi
Tashmë u përmend, për zjarrin janë të dyshuar 59 persona – të gjithë për të njëjtën vepër penale, në dy procedura. Nëse mbetet kështu – kjo do të thotë megaproces.

Madje as salla më e madhe gjyqësore në vend, ajo në Idrizovë, nuk do t’i nxë të gjithë të akuzuarit, së bashku me mbrojtësit e tyre dhe, sigurisht – prokurorët.

“Këto raste me një numër kaq të madh të akuzuarish jo vetëm që janë të rrezikshme nga aspekti i parashikueshmërisë juridike, sigurisë ligjore, si dhe për kërkesën për përkufizim të saktë ligjor të veprës penale. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me konceptin që mbron të drejtat e të akuzuarve. Për më tepër, kjo është një punë jashtëzakonisht e shtrenjtë që mund të na kushtojë shumë si shtet në fund të këtij procesi, sepse nuk mund të përfundosh një rast me 60 të akuzuar”, thotë Zlatko Jakimovski, avokat.

Për këtë pjesë, duket se Prokuroria Publike është tashmë e vetëdijshme se duhet të gjendet një zgjidhje tjetër.

Në përgjigjen me shkrim, nga Prokuroria Publike na thanë se nga provat e mbledhura do të varet se cilët nga personat nën hetim do të akuzohen.
Për dy drejtorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, çështja duket se po lëviz në këtë drejtim. Ata ende janë të dyshuar, por duket, pa bazë të fortë.
Për ta dhe për të tjerët, nuk do të pritet shumë për epilog. Jo më shumë se dy muaj.

Marrë nga 360°