Kryetari i Komunës së Çairit dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Visar Ganiu, ka bërë një deklaratë të fortë në edicionin e lajmeve në Alsat M, duke zbuluar se ideja për të garuar me lista të ndara në zgjedhjet lokale ishte shpalosur fillimisht nga Arben Taravari, madje që dy muaj më parë në takimet e brendshme të koalicionit.

“Idenë që të shkojnë me lista të veçanta Taravari qe dy muaj e kishte shpalos në takimet tona, dhe ne aty kemi pasur debat rreth kësaj, ku me argumente e kemi bindur edhe Taravarin që kjo nuk është për të mirën e VLEN-it, për shkak se kjo i prin përçarjes së VLEN-it,” u shpreh Ganiu.

Ai theksoi se është sqaruar edhe në mënyrë teknike dhe strategjike se një veprim i tillë do ta dëmtonte rëndë koalicionin: “Prej partive të mëdha, nëse bëhemi më tepër lista, na nxjerr te partitë e vogla dhe humbim në atë drejtim. Edhe praktikisht kemi tregu se ashtu nuk mund të funksionojmë, sepse nëse ne i kemi 4 lista, 4 shtabe, plus kandidati që do të kandidojë, bëhen pesë, atëherë do të dominonin simbolet e krejt partive dhe jo e VLEN-it.”

Ganiu ka theksuar se një qasje e tillë është pikërisht ajo që, sipas tij, ka dashur BDI-ja: “Kjo është tipike ajo që e kërkonte BDI-ja, ta përçajë VLEN-in.”

Pavarësisht se ky debat, sipas tij, ishte konsumuar dhe ishte arritur mirëkuptim për të garuar të unifikuar, Ganiu shprehet i habitur nga vendimi i fundit i grupit të Taravarit: “Ishim të habitur kur në mbledhjen e fundit ata dolën me vendim për të shkuar me lista të hapura për këshilltarë.”

Deklarata e Ganiut hedh dritë mbi përplasjet e brendshme në koalicionin opozitar dhe zbulon përpjekjet për ruajtjen e unitetit përballë sfidave të ardhshme politike.