Djali i një oficereje policie ka hapur zjarr me armën e saj të vjetër të shërbimit në Universitetin Shtetëror të Floridës (FSU), duke vrarë dy persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, sipas autoriteteve.

Autori i dyshuar, studenti 20-vjeçar i FSU-së, Phoenix Ikner, filloi të shtënat rreth mesditës pranë ndërtesës së unionit studentor në kryeqytetin e shtetit, Tallahassee, shkruan BBC.

I dyshuari u qëllua nga policia dhe u dërgua në spital. Motivi mbetet i paqartë. Viktimat e vdekura nuk ishin studentë, tha policia e kampusit, por identitetet e tyre nuk janë bërë publike.

I dyshuari është djali i një oficeri me përvojë të Departamentit të Policisë së Qarkut Leon, e cila është vlerësuar si një punonjëse model, tha Sherifi Walt McNeil. Jessica Ikner, oficere sigurie në një shkollë, kishte mbajtur armën pasi forcat e rendit kishin përditësuar pajisjet e tyre me armë të reja.

Një pushkë gjithashtu u gjet në vendin e ngjarjes, thanë autoritetet.
Sipas Sherifit McNeil, i dyshuari ishte një “anëtar prej kohësh” i këshillit këshillimor të të rinjve në zyrën e sherifit dhe ishte pjesëmarrës në disa programe trajnimi.
“Prandaj nuk është çudi që ai kishte qasje te armët,” tha ai.

I dyshuari kishte qenë pjesëmarrës në një protestë në kampus kundër inaugurimit të Presidentit Donald Trump në janar, sipas gazetës studentore.

Citatet e tij për faqen FSUNews.com u hoqën të enjten me një shënim nga redaksia, e cila tha se nuk donte të amplifikonte zërin e të dyshuarit.

Policia iu përgjigj një thirrjeje për një sulmues aktiv rreth mesditës me orën lokale, sipas universitetit. Një alarm u lëshua duke paralajmëruar studentët dhe të gjithë të pranishmit në kampus të “strehohen dhe të presin udhëzime të mëtejshme”.

“Një nga shoqet e klasës mori një alarm në telefon dhe e njoftoi klasën,” tha studentja Ava Arenado për CBS News Miami.

Një tjetër student, Blake Leonard, tha për CBS se fillimisht dëgjoi rreth 12 të shtëna.
“Në mendjen time, mendova se ishte ndonjë ndërtim, derisa pashë nga pas dhe pashë njerëzit duke vrapuar nga unioni drejt meje, dhe pastaj dëgjova edhe 12 apo 15 të shtëna të tjera, ndaj fillova të vrapoja edhe unë prej andej,” tha ai.

Presidenti Donald Trump, i cili tha se ishte informuar për incidentin përpara një takimi me Kryeministren italiane Giorgia Meloni në Shtëpinë e Bardhë, u pyet nëse donte të ndryshonte rregulloret për armët pas të shtënave.
Ai tha se ishte një “mbështetës i madh” i Amendamentit të Dytë të Kushtetutës së SHBA, i cili mbron të drejtën për armëmbajtje.
“Kam qenë që në fillim,” tha ai. “E kam mbrojtur. Këto gjëra janë të tmerrshme. Do të kemi më shumë për të thënë më vonë.”
Ai e quajti të shtënën “një turp, një gjë të tmerrshme.”

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, tha: “Lutjet tona janë me familjen e FSU-së dhe forcat e zbatimit të ligjit janë duke u angazhuar aktivisht.”

Kjo nuk është e para ngjarje me të shtëna në FSU. Në vitin 2015, një ish-student i universitetit qëlloi dhe plagosi tre persona në bibliotekë përpara se të vritej nga policia.

Babai i një vajze të vrarë në masakrën e vitit 2018 në shkollën e mesme të Parkland-it në Florida tha se disa nga shokët e klasës së vajzës, të cilët kishin mbijetuar nga ai sulm, ishin në kampus gjatë sulmit të së enjtes.

Fred Guttenberg, një aktivist për kontrollin e armëve, shkroi në X: “Është e pabesueshme, disa prej tyre sapo përjetuan sulmin e dytë me armë në një shkollë, dhe disa ishin sot në unionin studentor.”