Shtetet e Bashkuara do të përgjysmojnë numrin e trupave që kanë dislokuar në Siri, konfirmoi Pentagoni.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur trupa në Siri prej vitesh, si pjesë e përpjekjeve kundër organizatës ekstremiste, Shteti Islamik (ISIS).

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ulja e numrit të trupave pasqyronte “hapat e rëndësishëm që kemi bërë drejt degradimit të aftësive operacionale të ISIS” si ”në rajon ashtu edhe në nivel global”.

“Ky proces i qëllimshëm dhe i bazuar në kushte do të zvogëlojë gjurmën e SHBA në Siri në më pak se 1 000 forca amerikane në muajt e ardhshëm”, tha ai në një deklaratë.

”SHBA do të punojë me aleatët për të mbajtur presionin mbi grupin dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi tjetër terrorist që lind”, shtoi Parnell.

Në vitet e fundit, Shteti Islamik ka pësuar humbje të mëdha territoriale dhe disfata ushtarake në Sirinë e shkatërruar nga lufta dhe Irakun fqinj.