Byroja për Siguri Publike (BJB) në bashkëpunim me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion po zhvillon një aksion të gjerë në disa qytete të Maqedonisë së Veriut për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në sistemin shëndetësor.

Sipas njoftimit të prokurorisë, aksioni është rezultat i dyshimeve të bazuara për disa vepra penale që kanë shkaktuar dëm ndaj Fondit të Shëndetësisë. Për shkak të përmasave të mëdha të aksionit, detajet do të publikohen pas përfundimit të tij.

Jozyrtarisht mësohet se janë ngritur kallëzime penale kundër 49 personave për vepra penale si: bashkim kriminal, keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare, ndihmë, marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe dhënie e shpërblimit për ndikim të paligjshëm. Parashikohet arrestimi i 24 personave.