Kryeministri Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, theksoi se hetimin për tragjedinë në Koçan e udhëheq prokuroria, e jo qeveria dhe pikërisht prokuroria përcakton kush do të përfshihet dhe theksoi se për momentin janë përfshirë 68 persona, mes tyre funksionarë aktualë, gjë e cila në kohën e LSDM-së ishte një mision i pamundur.
“Nuk mendoja se mund të bini kaq poshtë dhe ende të përpiqeni të ngjiteni mbi valën e një tragjedie kolektive që goditi shtetin. Të paktën grupi parlamentar i LSDM-së ka më pak të drejtë të flasë për moral. Sa i përket dorëheqjeve për pesë muaj nga sot fillon fushata për zgjedhjet lokale dhe qytetarët do të vendosin se kujt do t’i përfundojë karriera politike, kujt do t’i vazhdojë dhe në çfarë forme. Qytetarët do të vendosin. Ju që luani me kartën e kujtesës së shkurtër dhe vazhdimisht fyeni qytetarët duke menduar se do të fitoni poena politikë, ju këshilloj, jo, nuk do të fitoni, përkundrazi, do të humbni,” dekalroi kryeministri Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit Mitko Trajçulevski.
Kryeministri Mickoski i shpjegoi deputetit se hetimin e udhëheq prokuroria dhe prokuroria përcakton se kush duhet të arrestohet, jo qeveria.
“Le të ju tregojnë bashkëpartiakët tuaj për spitalin modular, për Llaskarcin dhe për Besa Transin, sa persona u përfshinë në hetime dhe sa kallëzime penale u dorëzuan në atë kohë. Nëse nuk jua tregojnë, së shpejti do të ketë debat në Kuvend dhe do të dëgjoni nga kolegët e tjerë deputetë se pse, kush dhe si. Hetimin për Koçanin e udhëheq prokurori publik, jo unë, jo qeveria. Nëse prokurori vendos që duhet të arrestohem unë, le të më arrestojnë. Për shtatë vjet na keni burgosur, na keni arrestuar dhe deri më sot VMRO-DPMNE është nën ndjekje nga prokurorët e përzgjedhur në kohën kur LSDM i zgjidhte ata. E kemi përballuar edhe burgu është për burrat, ndërsa në rastin tonë edhe për gra. Deri tani, në hetim janë përfshirë 68 persona nga prokurori publik, prokuroria dhe të gjithë që janë të ngarkuar me këtë. Për dallim nga spitali modular, Llaskarca, Besa Transi ku vdiqën 75 qytetarë tanë, atëherë pati zero të përfshirë. Këtu kemi 68 persona, a do të jenë 168, do ta thotë prokuroria, jo unë, jo ministri i Brendshëm – por prokuroria bashkë me gjykatën vendos, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se nuk duhet të ketë dyshim nëse prokurori thotë që duhet të arrestohen funksionarë të lartë të kësaj qeverie, kjo do të ndodhë.
“Një anëtar i qeverisë është në paraburgim. Në kohën tuaj kjo ishte mision i pamundur. Janë ftuar në biseda informative funksionarë të lartë nga prokuroria, jo nga unë, jo nga ministri i Brendshëm. Të njëjtët prokurorë dhe gjyqtarë që i zgjodhët ju, Këshilli juaj për Prokurorë Publikë dhe Këshilli Gjyqësor që i zgjodhët ju, jo VMRO-DPMNE dhe gjërat duhet t’i themi siç janë, opinioni maqedonas duhet ta dijë të vërtetën. Një kryetar komune aktual është në paraburgim – në kohën e LSDM-së kjo ishte mision i pamundur”, tha Mickoski.
Mickoski theksoi se nuk do të harrohen rastet si spitali modular, Besa Trans dhe Llaskarci dhe se nuk do të ndihmojë as ndryshimi kontrabandues i Kodit Penal me flamur evropian.