Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi të enjten homologun rus, Vladimir Putin, pasi Rusia e sulmoi Kievin e Ukrainës me raketa e dronë gjatë natës, duke i thënë, “Vladimir, NDALU!”

“Unë nuk jam i lumtur me sulmet ruse ndaj Kievit. Jo të nevojshme dhe kohë shumë e keqe” – shkroi presidenti amerikan në rrjete sociale një ditë pasi tha se homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, po i pengon bisedimet e paqes rreth përfundimit të luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kur u pyet për sulmet ruse në Kiev në një konferencë më herët të enjten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia po vazhdonte të godiste “caqe ushtarake dhe ato që janë ngjitur me caqet ushtarake”.

Kritika e rrallë e Trumpit ndaj Putinit erdhi pas kritikës së tij ndaj Zelenskyt të mërkurën, pasi ky i fundit tha se Ukraina nuk do ta njohë pushtimin rus të Krimesë.

“Kjo deklaratë është shumë e dëmshme për bisedimet e paqes me Rusinë” – shkroi Trumpi në rrjete sociale.

Trumpi, i cili u përplas verbalisht dhe publikisht me Zelenskyn në Zyrën Ovale para disa javëve, tha se Krimea është humbur vite më parë dhe “madje nuk është pikë diskutimi”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com