Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes të deputetëve në seancë, tha se prioriteti dhe fokusi kryesor i Qeverisë është një standard jetese më i mirë dhe më cilësor për qytetarët.
“Absolutisht që prioriteti ynë kryesor është standardi i qytetarëve dhe fokusi kryesor i punës së kësaj Qeverie është të kemi standard dhe kushte më të mira jetese për bashkëqytetarët tanë”, tha ai.
Kryeministri Mickoski theksoi se, ndryshe nga e kaluara kur qytetarët ndaheshin në kategori të ndryshme, kjo Qeveri dhe ai personalisht përpiqen të tregojnë një qasje tjetër, të ndryshme nga ajo e së kaluarës.
“Po përpiqemi të tregojmë një qasje ndryshe, një qasje që do të jetë shumë më ndryshe nga ajo në të kaluarën, jo sipas parimit ‘si deri më tani’. Prandaj prioriteti ynë kryesor është standardi i jetesës, përkatësisht rritja e pagave për të punësuarit në shëndetësi, arsim dhe sektorët e tjerë. Dhe të dhënat e fundit tregojnë se pagat neto dhe bruto janë rritur për 9.6 për qind në mars, krahasuar me vitin e kaluar”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se do të punojnë që kjo përqindje të jetë edhe më e madhe.
“Por kjo nuk është e mjaftueshme. Në periudhën që vijon do të punojmë që ky numër të jetë edhe më i madh.”
Mickoski theksoi se pagat e punonjësve në arsim janë rritur me 12 për qind, ndërsa në shëndetësi me 20 për qind.
“Me sindikatat në arsim kemi nënshkruar një marrëveshje historike në kuptimin që është për katër vjet, përfundon në vitin 2028, me një dinamikë të qartë për rritjen e të ardhurave personale. Deri tani, pagat e punonjësve në arsimin fillor dhe të mesëm janë rritur me më shumë se 12 për qind. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në shëndetësi, ku rritja është pak më e madhe, rreth 20 për qind. Por, nuk duhet të harrojmë një aspekt shumë të rëndësishëm në shëndetësi – për herë të parë pas shumë kohësh kemi rritur kapitacionin për mjekët amë, gjinekologët dhe dentistët”, theksoi Mickoski.
Kryeministri Mickoski tha se vitin e kaluar, edhe pse nuk ishin parashikuar mjete në buxhet për pagesën e K-15 për punonjësit në administratë, mjetet u siguruan përmes rishikimit të buxhetit dhe u siguruan mbi një miliard denarë.
Mickoski theksoi gjithashtu se pagat janë rritur edhe në sektorin e sigurisë për 10 për qind.
“Këtë vit MPB i ka rritur pagat për 10 për qind për të gjithë anëtarët e ministrisë dhe tani ata kanë marrë një shpërblim për të gjithë ata që kanë përmbushur më shumë se 156 orë pune”, tha Mickoski.
Ai shtoi se edhe punonjësit në kulturë kanë marrë paga të rritura, edhe pse, siç tha ai, Marrëveshja Kolektive në kulturë është nënshkruar nga një ministër që nuk ka pasur pëlqimin e Ministrisë së Financave dhe që e ka nënshkruar atë nën presion dhe kërcënim, duke bërë që 90 për qind e buxhetit për kulturën të shpenzohet për paga.
Mickoski përfundoi se standardi i jetesës së qytetarëve është para dhe mbi gjithçka.
“Standardi i jetesës është para dhe mbi gjithçka”, ishte i vendosur Mickoski.