Mickoski: Askush të mos ketë dilemë në vendosmërinë time të fortë për luftën kundër korrupsionit, kemi shkarkime, arrestime – ka dallim

“Prioriteti ynë i parë si Qeveri dhe i imi personal është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mendoj se gjatë këtyre më pak se 10 muajve, që kur jemi zgjedhur si qeveri, e kemi dëshmuar këtë. Opozita, e goditur nga fakti që Prokuroria po udhëheq hetime ndaj disa prej ish-funksionarëve të tyre, tani përpiqet ta zhvendosë fokusin drejt pushtetit dhe ta paraqesë si një luftë selektive kundër krimit dhe korrupsionit, kjo është e drejta e tyre”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në podkastin “Ku janë paratë?”.
Mickoski theksoi se si qeveri rregullisht matin perceptimin e opinionit dhe ato të dhëna tregojnë dallime të qarta ndërmjet qëndrimeve të qytetarëve dhe opozitës, veçanërisht në lidhje me tragjedinë në Koçan.
“Procesin që ka të bëjë me ngjarjen e fundit të tmerrshme në Koçan e udhëheq Prokuroria. Gjithçka që do të diagnostikojë Prokuroria, ne si pushtet kemi të drejtë të plotë të veprojmë pa përjashtim. Deri në këtë moment as jam përzier, as kam ndërmend të përzihem, por do të veprojmë, sepse prioriteti im kryesor është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se në rastin e Koçanit, të gjithë ata që në mënyrë vertikalisht kanë pasur çfarëdo lidhje me ngjarjen e padëshiruar, pa marrë parasysh nëse janë emëruar nga kjo apo nga qeveritë e kaluara, janë shkarkuar.
Kush do të ndiqet penalisht dhe kush ka përgjegjësi, tregon hetimi që e udhëheq Prokuroria. Fakti i dytë, ky Prokuror dhe këta prokurorë nuk janë zgjedhur nga kjo Qeveri, por nga qeveria e mëparshme. E kuptoj opozitën, e cila përpiqet ta imponojë këtë proces si një proces ku Qeveria është selektive, por sigurisht që nuk e justifikoj. Jo vetëm që nuk jemi selektivë, por absolutisht do të veprojmë për çdo urdhër të prokurorisë. Do t’ju kujtoj për dallimin në veprimet e kësaj qeverie dhe të qeverive të mëparshme.
Thjesht bëni, ndoshta do të tingëlloj morbid, një krahasim në këtë rast dhe në të gjitha ato raste në të kaluarën – Llaskarc, Spitali Modular, Besa Trans etj. Dhe më në fund, e treta, do t’ju kujtoj se para disa javësh u arrestua drejtori i një institucioni shëndetësor, i cili ishte emëruar nga kjo qeveri, si person që kishte kërkuar ryshfet. Kjo ndodhi në një aksion të koordinuar mes Prokurorisë, Gjykatës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe ai person u arrestua dhe u nxor para gjykatës. Do t’ju kujtoj, si asnjëherë më parë, një person që ishte pjesë e rrethit më të gjerë të sigurimit tim, për shkak të tregtimit me informacione, u kap në flagrancë dhe gjithashtu u arrestua. Për mua janë absurde pretendimet e opozitës apo të disa prej boteve të tyre në rrjetet sociale, por kjo është demokracia – të kemi mendime të ndryshme. Por në fund të ditës, qytetarët janë ata që gjykojnë nëse shteti, prokuroria apo gjykatat po veprojnë siç duhet dhe atij ia japin besimin – përfundoi kryeministri Hristijan Mickoski.