Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se pretendimi i tij i përsëritur gjatë fushatës zgjedhore, sipas të cilit luftën në Ukrainë do të mund ta përfundonte ditën e parë të rikthimit në Zyrën Ovale, ishte një shaka.

Në një intervistë për revistën “Time”, Trump, kur u pyet për këtë deklaratë, u përgjigj: “E thashë atë në mënyrë figurative, si një teprim… për të theksuar diçka.”

“Është e qartë se njerëzit e dinin që kjo ishte thënë me shaka, por gjithashtu u tha se lufta do të përfundonte,” tha Trump në intervistë.

Kjo deklaratë vjen në një javë kur Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Trump është “i frustruar” gjatë negociatave për përfundimin e luftës dhe se “durimi i tij po shteron shumë shpejt.”

Gjatë dy ditëve të fundit, Trump ka bërë thirrje të ndara drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin që të ndalin luftën, pasi paralajmëroi publikisht se “mund të tërhiqet” nga ndërmjetësimi nëse ndonjëra palë “e vështirëson arritjen e marrëveshjes.”