LSDM sot ka akuzuar drejtues qeveritarë se po keqpërdorin pozitat e tyre zyrtare për të favorizuar familjarët. Partia opozitare ka njoftuar se ka siguruar infomacione nga brenda MPB-së se dikush nga ky institucion ka ndikuar për të mos i shqiptuar gjobë vëllait të kryetarit të komunës së Gazibabës, i cili është kapur duke vozitur me shpejtësi më të madhe se e lejuara, raporton Tv SHENJA.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Në mes të Shkupit, vëllai i kryetarit të komunës po ‘fluturonte’ me 88 km/orë edhe pse shpejtësia e lejuar është 50. Denoncuesit nga Ministria e Brendshme na siguruan një video-regjistrim nga radari i Stevkovskit në të cilën qartë shihet se sa ka vozitur Stevkovski në mes të Shkupit. Policët e kanë ndaluar që ta dënojnë për vozitje të shpejtë por atëherë Dalibor Stevkovski ka telefonuar dikë në MPB dhe vetëm për një minut një komandant i MPB-së i është paraqitur policëve dhe i ka urdhëruar që vëllai i kryetarit të komunës së Gazibabës të mos dënohet”.
Sipas Kuzeskës, gjoba iu dha një personi me inicialet S.J. sipas dokumentacionit nga denoncuesit.