Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sot në konferencën për media informoi për agjendën reformuese dhe propozim-ligjet e përgatitura nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në dhjetë muajt e fundit. Ai theksoi se të gjitha ligjet që janë pjesë e kornizës reformuese janë përgatitur dhe janë në fazën finale të miratimit, ndërsa, për pothuajse dy të tretat, është zhvilluar një zgjidhje krejtësisht e re ligjore.

Filkov tha se tani është përgatitur Propozim-ligji për Këshillin gjyqësor, për të cilin tha se afati i miratimit është në qershor të këtij viti dhe i njëjti tashmë është dorëzuar për mendim në Komisionin e Venecias.

Risitë kyçe janë themeluar në propozimet e Misionit të Vlerësimit, theksoi Filkov, me rregullim të saktë të procedurës për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, e cila do të iniciohej me kërkesë të arsyetuar nga të paktën katër anëtarë të Këshillit të cilët kanë të drejtë vote.

“Procedura për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor është rregulluar saktësisht, e cila iniciohet me kërkesë të arsyetuar të të paktën katër anëtarëve të Këshillit me të drejtë vote. Parashikohet opinion në procedurë dhe nuk duhet të përjashtohet në asnjë rast. Vendimi për shkarkim merret me të paktën tetë vota. Sqarim i termit jurist i shquar, që do të thotë i diplomuar në drejtësi me të paktën 15 vjet përvojë pune. Forcimi i legjitimitetit të procesit dhe procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve”, tha Filkov.

Ndryshime tjera me të cilat adresohen rekomandimet e Misionit të Vlerësimit dhe me të cilat avancohet korniza juridike, Filkov e theksoi Propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, për të cilin, tha, afati i miratimit është në dhjetor të këtij viti.

“Në pjesën e Prokurorisë Publike për herë të parë parashikohet buxhet personal prej të paktën 0,5 për qind e buxhetit shtetëror, procedurë transparente për zgjedhje të prokurorit publik dhe afate të sakta për avancimin e procedurave disiplinore. Është bërë një klasifikim i shkeljeve disiplinore – i lehtë, i rëndë dhe më i rëndë dhe janë parashikuar masa disiplinore adekuate. Janë përcaktuar edhe afate konkrete deri kur duhet të përfundojë procedura disiplinore, përkatësisht në afat prej gjashtë muajve me përjashtim të rasteve të më komplikuara nëntë muaj. Për herë të parë është parashikuar një afat prej tre muajve deri kur duhet të përfundojë procedura e ankimimit para Këshillit të Prokurorëve Publikë”, tha Filkov.

Më tutje, ministri tha se është përgatitur Propozim-ligj për pagat e prokurorëve publikë, me afat për miratim në qershor të këtij viti. Qëllimi i këtij ligji, sqaroi Filkov, është të rregullohen të drejtat në pjesën e pagës, shtesave, të drejtën e mbrojtjes shëndetësore dhe kompensimet e shpenzimeve të lidhura me kryerjen e funksionit në vend të huaj të prokurorit publik i cili është dërguar për punë në vend të huaj.