“Marsh për Engjëjt” në Shkup – Familjet kërkojnë drejtësi për viktimat e zjarrit në diskotekën “Pulse”

Në Shkup sot do të mbahet “Marshi për engjëjt”, i organizuar nga familjet e viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan. Organizatorët njoftojnë se marshimi do të fillojë para Prokurorisë në orën 12:05, si simbolikë për reagimin e vonuar të institucioneve, do të vazhdojë drejt sheshit “Maqedonia” dhe do të përfundojë para Kuvendit.
– Ne meritojmë përgjigje, ne nuk jemi njohës të drejtësisë dhe procedurave ligjore, prandaj nuk kuptojmë se si ata që janë njohës të ligjit arrestojnë dhe më pas lirojnë. A janë të vetëdijshëm për mosbesimin e thellë ndaj funksionimit institucional deri tani, për modelin “kap dhe lësho”, pa ndonjë shpjegim të qartë për atë procedurë ligjore, dhe çfarë ndjesish krijohen në mendjet tona, të cilat janë buzë vetëshkatërrimit – thuhet në njoftimin me shkrim nga familjet.
Në thirrjen e tyre, ata theksojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për vdekjen e fëmijëve të tyre, dhe për pjesëmarrje në marsh ftojnë të gjithë qytetarët e vendit.
Nga Prokuroria, dje është bërë një thirrje drejtuar familjeve të të ndjerëve që, nëse duan të njihen më në detaje me të gjitha aspektet e procedurës hetimore, gjatë ditës së sotme të realizojnë një takim me prokurorin publik dhe prokurorët që janë të përfshirë në çështjet përkatëse.