Izet Mexhiti: Korridori 8 është më shumë se një rrugë. Është arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, e lidh zemrën e Ballkanit

“I nderuar kryeministër,
E nderuara Ambasadore Ageler,
Të nderuar kolegë të Qeverisë, të nderuar kryetarë komunash, përfaqësues të BechtelEnka, përfaqësues të mediave, të dashur bashkëqytetarë,
Vetëm para disa viteve, të vetmet aktivitete “ndërtimi” që i shihnim ishin konferencat glamuroze të shtypit dhe kamerat e drejtuara nga shiritët që nuk u prenë kurrë me asfalt. Asgjë nuk po ndërtohej.
Sot, në vend të foto-aparateve, rreth nesh po gjëmojnë zhurmat e buldozerëve, ekskavatorëve dhe kamionëve. Ne nuk po xhirojmë spote reklamash- po ndërtojmë të ardhmen.
Po ndërtojmë rrugë për popullin tanë.
Korridori 8 është më shumë se një rrugë. Është arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, e lidh zemrën e Ballkanit. Vendimi ynë strategjik është i qartë: Maqedonia përfundon seksionin e saj dhe e sjell Evropën në Ballkan, dhe Ballkanin në Evropë.
Me fillimin e kësaj autostrade, ne po shndërrojmë rajonin e Pollogut në udhëkryq të mundësive dhe investimeve, vendeve të punës, po shkurtojmë rrugën midis Shkupit, Ohrit dhe Strugës dhe po afrojmë kufirin në Qafë Thanë me çdo shtëpi tonën dhe çdo ide biznesi që pret treg. Po krijojmë mundësi që t’i kthejmë fëmijët në shtëpi.
Më lejoni të falënderoj sinqerisht Ambasadoren e SHBA-së, znj. Angela Ageler, për mbështetjen e saj të vazhdueshme. Prania juaj sot është dëshmi se partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm në letër, por edhe në çekan, në beton dhe në çelik. Në punë dhe në investime. Faleminderit.
Gjithashtu, falënderoj ekipin e BechtelEnka dhe shërbimet profesionale të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Pa ekspertizën tuaj, ky vizion nuk do të ishte bërë një fakt konstruktiv.
Nuk po ndërtojmë vetëm një autostradë – po ndërtojmë besim. Në të njëjtën kohë, po investojmë në rrugët lokale, rrjetet e kanalizimit dhe ujësjellësit, shkollat dhe klinikat. Kombinimi i projekteve shtetërore dhe komunale do të thotë se çdo komunë ndjen se Qeveria është këtu – me mjete reale dhe rezultate reale.
Këtë vit Maqedonia është një kantier i madh ndërtimi. Nga Kriva Pallanka deri në Resnjë, nga Tetova deri në Dollnen, nga Dibra deri në Strumicë – kudo që të shkoni, do të hasni shenja për kantier. Nuk është rastësi, është një plan. Sepse qytetarët tanë meritojnë infrastrukturë që shkurton kohën, rrit sigurinë dhe përmirëson cilësinë e jetës.
Sot po hedhim gurthemelin e një projekti me vlerë prej 90 milionë euro, por vlera e vërtetë është e pamatshme:
* Çdo jetë e shpëtuar për shkak të një rruge më të sigurt.
* Çdo biznes i ri që zgjedh të investojë këtu për shkak të logjistikës së përmirësuar.
* Çdo i ri/e re që do të qëndrojë në rajon sepse ju vijnë mundësitë dhe jo anasjelltas.
Më lejoni të përfundoj me një premtim të thjeshtë: Do të na matni me kilometrat e përfunduara, jo me fjalët e harxhuara. Themeli i sotëm është një simbol i asaj politike – politikë e veprave, e jo e frazave boshe.
Faleminderit. Qoftë me fat dhe vija e drejtë të na çojë drejt sukseseve të reja!”