Duke vepruar mbi propozimin akuzues të parashtruar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, Gjykata Themelore Penale Shkup solli aktgjykim me të cilin dënoi një person për vepër penale – Përhapje e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik nga neni 394-g paragrafi 1 i Kodit Penal.

Aktgjykimi është shqiptuar në një seancë të vetme mbi bazën e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, i cili pranoi se vepra për të cilën akuzohej është kryer në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar në aktakuzën e parashtruar.

Në bazë të kësaj, Gjykata e konstatoi si të pakontestueshme gjendjen faktike se i dënuari më 26.02.2022, përmes sistemit kompjuterik kishte përhapur publikisht përfaqësime të ideve që nxisin urrejtje kundër një grupi të margjinalizuar.

Nga profili i tij në rrjetin social, shkupjani 30-vjeçar kishte komentuar në postime të një portali informativ që kishin të bënin me organizimin e të ashtuquajturës Paradë e Krenarisë në Shkup. Në komentet e tij kishte bërë thirrje për dhunë dhe kishte nxitur urrejtje ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si anëtarë të një grupi të margjinalizuar mbi baza të orientimit seksual.

Për veprën e kryer, Gjykata e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burg prej 1 viti, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nga hyrja në fuqi e aktgjykimit i dënuari nuk kryen vepër të re penale. Aktgjykimi XVII K-913/24 i Gjykatës Themelore Penale Shkup është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.

Prokuroria Themelore Publike Shkup, duke pasur parasysh standardet evropiane për mbrojtje nga urrejtja dhe diskriminimi, ndjek në mënyrë aktive procedimin e këtyre lëndëve, për çka është caktuar një prokuror publik i veçantë.