Në atmosferë festive, me tupana dhe zurle, sot ka nisur asfaltimi i rrugës kryesore në fshatin Pallaticë të Komunës së Zhelinës informon Tetovasot. Ky investim, i shumëpritur prej vitesh nga banorët, po realizohet pas pritjes së gjatë për përmirësimin e infrastrukturës.

“Për ne është një lajm i mirë, por kemi pritur 8 vite. E shoh se vetëm kur afrohen zgjedhjet, kryetarëve ju del gjumi për të punuar,” shprehet një nga banorët e Pallaticës, duke reflektuar pakënaqësinë e akumuluar në mesin e qytetarëve.

Asfaltimi i rrugës konsiderohet një hap i rëndësishëm për zhvillimin e fshatit, por banorët kërkojnë që investimet në infrastrukturë të mos lidhen vetëm me fushatat zgjedhore.

Ndërkohë, zgjedhjet komunale në Zhelinë do të mbahen në tetor të këtij viti. Deri tani, kandidaturën për kryetar e ka zyrtarizuar vetëm Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa.